Lajme

Frank Wisner në korrik 2008: Kosova, e pavarur – bisedimet me Serbinë sikurse mes dy vendeve sovrane

02/24/2025 16:18
nga:G B

Kur kreu i atëhershëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) apelonte për bisedime të reja mes Kosovës dhe Serbisë, pak pas shpalljes së pavarësisë më 2008, ish-emisari special i Uashingtonit, Frank Wisner deklaronte se bisedimet duhej të zhvilloheshin mes dy vendeve sovrane.

Wisner, në një intervistë për Evropën e Lirë në korrikun e vitit 2008, shprehej se ekziston nevoja e dialogut Prishtinë-Beograd, por se pika e hapjes së negociatave duhej të jetë: Kosova është e pavarur, njëjtë sikurse Serbia.

“Unë mirëpres dhe të gjithë duhet të mirëpresin faktin se Sekretari i Përgjithshëm ka vënë kornizën për një dialog të tillë. Të dyja palët duhet të jetojnë bri njëra-tjerës në paqe dhe duhet të gjejnë rrugët për bashkëpunim”, deklaronte Frank Wisner, ish-emisar i SHBA-ve për statusin e Kosovës.

“Por, pika e hapjes së bisedimeve duhet të jetë e qartë: Kosova është e pavarur dhe mbi 40 vende e kanë njohur pavarësinë. Një shtet i ri ka lindur”.

Ai, në këtë intervistë për REL-in, e specifikonte se “bisedimet duhet t’i shohim si bisedime mes dy vendeve sovrane”.

Lidhur me qëndrimin e Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës, Wisner deklaronte se SHBA-ja ishte në dijeni se ky ishte qëndrimi i ngulitur në kokën e politikanëve serbë.

“Nuk besoj se Serbia do të heqë dorë nga sovraniteti i saj mbi Kosovën, me gjithë faktin se Kosova është e pavarur dhe është njohur nga shumë shtete. Ky është qëndrimi i ngulitur në jetën politike serbe dhe nuk do të ndryshojë”, shprehej ai.

“Në të njëjtën kohë, dua të mendoj se si njerëz praktikë, që marrin parasysh interesin e serbëve të Kosovës, do mund të gjejnë mënyrën për të bashkëjetuar paqësisht këto dy shtete”.