Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së ka ngushëlluar për vdekjen e Bajram Qerkinit, Kryetarit të Shoqatës “Zëri i Prindërve”, raporton GazetaBlic.
Ai theksoi se Qerkini ishte fuqia dhe shpresa e prindërve që ende presin drejtësi, duke jetuar me dhembjen e humbjes së djalit të tij, Reshatit.
Krasniqi theksoi se kauza e tij do të mbetet amanet i përjetshëm dhe se lufta për drejtësi do të vazhdojë.
“Pusho në paqe, Bacë”, përfundoi ai.
E plotë:
Me dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen e Bacës Bajram Qerkini. Ai nuk ishte thjesht Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve” – ai ishte fuqia e prindërve në pritje dhe zemra e një populli që ende pret drejtësi.
Baca Bajram nuk i gjeti kurrë eshtrat e djalit të tij, Reshatit. Ai jetoi me atë dhembje dhe e shndërroi në forcë, në këmbëngulje, në një betejë të pandalshme për të vërtetën, kujtimin dhe drejtësinë.
Kauza e Bacës Bajram, ashtu si edhe e qindra bashkëkombësve tanë të tjerë, mbetet amanet i përjetshëm. Nuk do t’i harrojmë ata që mungojnë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ta.
I lehtë të qoftë dheu i Kosovës. Pusho në paqe, Bacë!


