Lajme

Kërkohen nga Interpoli, Kosova në dy muajt e këtij viti arrestoi 5 persona

02/23/2025 20:01
nga:G B

Aksione të Policisë së Kosovës që cak kanë persona të cilët kërkohen nga shtete te tjera nuk janë të rralla.

Madje, Policia e Kosovës po konsiderohet se po kryen punë të mirë në urdhërarrestet ndërkombëtare.

Ata në një përgjigje për TV Dukagjinin tregojnë se sa persona kanë arrestuar gjatë 2024-s dhe fillimit të 2025-s.

“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (DBNP/ILECU), gjatë vitit 2024, në bashkëpunim edhe me njësitet tjera policore, ka rritur t’i arrestojë gjithsej 31 persona të dyshuar, ndërsa nga 1 janari 2025 deri më tani janë arrestuar 5 persona, që të gjithë ishin të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar”.

Megjithatë, cilësohet se Kosovën nuk e pengon shumë fakti që nuk është anëtare në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë të quajtur INTERPOL.

Për këtë, obligimet dhe bashkëpunimin me INTERPOL-in, Kosova vazhdon ta kryej përmes një zyre që gjendet në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

E njohësit e sistemit të drejtësisë bashkëpunimin e konsiderojnë goxha të frytshëm.

“Fakti që Kosova ka reflektuar në këto kërkesa, natyrisht që nënkupton që është e përgjegjshme me obligimet që i ka marrë qoftë përmes marrëveshjeve, qoftë përmes parimit të reciprocitetit, e në rrjedhë të kësaj shtetet serioze natyrisht që reflektojnë, andaj Kosova e dëshmon se përmes kësaj forme është e përgjegjshme në kryerjen e detyrave”, ka theksuar Ardian Bajraktari, Avokat.

Megjithkëtë, Bajraktari nuk e vlerëson edhe aq të lartë numrin e të arrestuarve me urdhërarreste ndërkombëtare.

Megjithatë në Kosovë ka raste kur persona të ndryshëm i kanë ikur edhe drejtësisë së Kosovës e nuk dihet vendndodhja e tyre siç është një nga rastet më të përfoluara, ajo e të dënuarit me burgim i Enver Sekiraqës.

Por, a po dështon Kosova që t’i arrestoj qoftë vet, qoftë përmes urdhrit ndërkombëtarë personat që kanë ikur nga drejtësia e saj?

“Janë edhe dy instanca që duhet të të kryhen këto arrestime, përshembull për qytetarët e e republikës së Kosovës brenda territorit të Kosovës duhet flet arresti nga organet e nga gjykata nderkaq në flet arrestet nderkombëtare nuk e ka problem, Kosova nuk qalon në këtë drejtim”, ka deklaruar Avni Islami, Ekspert i Sigurisë.

Kosova përkundër aplikimit nuk ka arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk ka arritur të marrë dy të tretave e votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate./Dukagjini