Sporti

Florian Miftari: Mësova basketbollin në Turqi, fitova gjithçka në Kosovë, ishte kohë e artë

02/22/2025 21:15
nga:Mergim Rreci

Në mesin e shumë basketbollistëve që kanë shkëlqyer ndër vite në Kosovë është pa asnjë dyshim edhe Florian Miftari.

Pavarësisht që e filloi aktivitetin në Kosovë, basketbollin e perfeksionoi në Turqi, atje ku në moshën 17 vjeçare iu bashkua skuadrës së Besiktas, duke mësuar gjithçka që më pas u kthye në sukses dhe rezultat kulminant.

Si asnjëherë më parë, në një intervistë të detajuar për emisionin ‘Expose’, prodhim i ‘GazetaBlic’, Miftari tregon gjithçka që lidhet me karrierën e tij të bujshme sportive, sfidat, sukseset si dhe tashmë planet që ka në pozitën që drejton.

“Karriera ime ka qenë shumë interesante, duke e marrë parasysh që i takoi një sportisti i cili ka kaluar në shumë sporte dhe më në fund kam vendosur të bëhet basketbollist. Kushtet tona paraluftës kanë qenë mizerje, kjo palestër ku jemi ne sot, ka qenë ëndërr që ne të ushtrojmë, ashtu siç ishte edhe Pallati i Rinisë. Mirëpo, ne kemi gjetur rrugë alternative dhe kemi stërvitur në shkolla fillore, por gjithmonë kemi pasur frikë. Kurse sot, të rinjtë tanë, e gëzojnë privilegjin që të luajnë dhe të stërvisin në liri, me kushte shumë më të mira në krahasim me ato që ne i kemi pasur“, tha fillimisht ai.

Tutje, ai tregoi se si vendosi të udhëtonte për në Turqi, atje ku në moshën 17 vjeçare iu bashkua ekipit të Besiktas.

Duke i parë këto vështirësi dhe pamundësinë e garimit në liga, unë vendosa që në moshën 17 vjeçare të shkoi në Turqi, në Besiktas, bashkë me trajnerin tim Ibrahim Karabeg, i cili ka dhënë shumë për gjeneratat e reja. Atje unë e kam mësuar basketbollin, në saje të atij ekipi dhe ish trajnerin Ahmet Kandemir, i cili më pas ka qenë edhe në Prishtinë. Me t’u kthyer në Kosovës pas luftës, skuadra e Prishtinës ka insistuar që unë të jem pjesë e saj, kemi arritur gjithçka, kemi bërë gjithçka dhe ka qenë një kënaqësi dhe një privilegj, klub i cili ma ka dhënë edhe këtë emër“, vazhdoi tutje Miftari për ‘Expose’.

Miftari, kujton me nostalgji kohën e artë të pasluftës si basketbollist, palestrat e mbushura dhe dashurinë e madhe që kishin për baskebtollin.

Sipas tij, nuk kishte ekonomi pra paga të ulëta, por i mbante vullneti dhe pasioni i madh që kishin për këtë sport.

“Ka qenë një atmosferë e jashtëzakonshme, impozante, rrëqethëse, vetëm ai që ka qenë në parket e ka përjtuar një gjë tillë, duke pasur parasysh se më shumë ka pasur dashni se sa ekonomi. Më kujtohet që në atë kohë, përveç palestrave, të mbushura kanë qenë edhe koridoret dhe jashtë objekteve, ka qenë gjithçka më interesante, normal edhe në shtëpitë e secilit kemi qenë prezent me basketbollin e Kosovës”, përfundoi Miftari.

/GazetaBlic/