Lajme

Tetë orë në koma dhe e përfundoi karrierën shkaku i lëndimit, rrëfimi emocionues i Florian Miftarit

02/22/2025 21:23
nga:Mergim Rreci

Florian Miftari, një emër i njohur e i paharruar për të gjithë adhuruesit e sportit në vendin tonë.

I lindur për të qenë pjesë e historisë së basketbollit kosovar, Miftari ishte i jashtëzakonshëm me paraqitjet e tij në parket, duke fituar zemrat e tifozëve, por edhe çdo trofe të mundshëm.

Si asnjëherë më parë, në një intervistë të detajuar për emisionin ‘Expose’, prodhim i ‘GazetaBlic’, Miftari tregon gjithçka që lidhet me karrierën e tij të bujshme sportive, sfidat, sukseset si dhe tashmë planet që ka në pozitën që drejton.

Mes emocioneve, Miftari tregon se si pas një lëndimi që pësoi në shpinë, u detyrua të pensionohej shumë herët nga basketbolli në moshën 29  vjeçare, gjë e cila i ka lënë në një mënyrë shije të hidhur, sepse ndodhi pikërisht atëherë kur talenti dhe përvoja ishin gati për të dhënë rezultate edhe më të mira.

Ajo që më ka lënë pikë të zezë dhe shije të hidhur është lëndimi që e kam pësuar në shpinë, prej një rënies nga një pozitë e keqe. Shkak i atij lëndimi është dashur që ta ndërprejë karrierën, në moshën më të mirë, kur janë ngërthyer talenti dhe përvoja”, deklaroi ai.

Një moment tjetër të rëndë ai e përjetoi edhe kur në një ndeshje ndaj Bashkimit gjatë një ngulitje ra pa ndjenja në fushë, ku pastaj ishte në komë për më shumë se tetë orë.

“Kam pasur edhe një lëndim tjetër, kam qenë tetë orë në koma, vetëm e vetëm për të argëtuar publikun, gjatë një ngulitje një ish lojtar i Bashkimit më pati shty pak dhe kam rënë pa ndjenja. Të gjitha këto kujtime si të mira e të këqija, unë i kujtoj sepse basketbolli është plotë jetë, t’i sjellë këto emcione si asnjë sport tjetër”, përfundoi Miftari.


/GazetaBlic/