Vatikani ka thënë në një deklaratë se “Papa ka pushuar mirë” në përditësimin e fundit mbi gjendjen shëndetësore të Papës, i cili është shtruar prej nëntë ditësh në spitalin Gemelli të Romës për shkak të pneumonisë dypalëshe .
Por të premten, profesor Sergio Alfieri, i cili është pjesë e ekipit mjekësor të Papës, paralajmëroi se ai “nuk është jashtë rrezikut” dhe do të qëndrojë në spital për të paktën një javë tjetër.
“Papa ka dashur gjithmonë që ne të themi të vërtetën”, u tha Alfieri gazetarëve në hyrje të spitalit Gemelli. “Sëmundja kronike mbetet, Papa e di këtë, tha ‘E kupton që situata është e rëndë’”.
Vatikani tha në një deklaratë të shtunën, se Papa Françesku nuk do të kryejë më lutjet e së dielës këtë fundjavë, javën e dytë me radhë që ai duhet të anulojë paraqitjen e tij personale.
Ndërsa gjendja shëndetësore e Papa Françeskut po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, thashethemet për dorëheqjen e tij të afërt janë rritur gjithnjë e më shumë.
“Të gjitha më duken si spekulime të kota. Tani ne po mendojmë për shëndetin e Atit të Shenjtë, shërimin e tij, kthimin e tij në Vatikan: këto janë të vetmet gjëra që kanë rëndësi,” tha kardinali Pietro Parolin, Sekretari i Shtetit i Vatikanit, në një intervistë për Corriere della Sera.
Falë Zotit, lajmet që vijnë nga Gemelli janë inkurajuese, ai po shërohet. I janë dërguar dokumentet dhe kjo do të thotë se po ecën mirë”, tha Parolin.
Papa Françesku 88-vjeçar është vuajtur nga periudha të këqija shëndetësore prej vitesh dhe si i ri, i është hequr lobi i sipërm i mushkërisë së djathtë.
Por Vatikani thotë se ai mbetet në humor të mirë, ka ngrënë mëngjes çdo ditë dhe ka vazhduar të punojë nga dhoma e tij e spitalit.
/Euronews Albania/


