Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më sot (18 shkurt) janë numëruar rreth 78% të vendvotimeve për votat e kandidatëve lidhur me zgjedhjet parlamentare.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se deri më tani ka përfunduar numërimi i votave të kandidatëve në 1 mijë e 970 vendvotime nga 2533 sa janë gjithsej.
“Lidhur me numërimin dhe verifikimin e subjekteve nga formularët deri më 18 shkurt në ora 16:00 janë numëruar rreth 78% të vendvotimeve apo rreth 1 mijë e 970 nga 2533 sosh, ndërkaq lidhur me aspektet e tjera të procesit zgjedhor ju njoftojmë se është duke vazhduar verifikimi i votave përmes postës”, ka deklaruar Elezi raporton “Gazeta Blic”.
Por, disa deputetë, edhe pse kanë qenë tepër aktivë në legjislaturën e fundit si duket nuk kanë arritur të fitojnë votat e nevojshme për të fituar një ulëse në Kuvend.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, edhe pse ka qenë tepër aktivë në seanca nuk e ka marrë mbështetjen e nevojshme për t’u bërë deputet.
Instituti i Kosovës për Drejtësi e kishte shpallur Besnik Tahirin si një prej deputetëve më aktivë të legjislaturës së fundit.
Po ashtu kandidati për deputet Haki Abazi, i cili kishte kaluar në AAK nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk pritet të jetë deputet në legjislaturën e re.
Abazi deri tani ka marrë rreth 1160 vota.
Kujtojmë se Haki Abazi ka qenë jashtëzakonisht i zëshëm në bërjen publike të problematikave dhe pakënaqësive që kishte sa ishte pjesë e LVV-së .
Pjesë e legjislaturës së ardhshme nga radhët e PDK-së si duket s’do të jetë as deputeti aktual, Ardian Kastrati.
Kastrati njihet për fjalët e tij pompoze dhe me mjaft metafora në Kuvend, por si duket kjo nuk ka mjaftuar për t’a bindur elektoratin për t’i dhënë votën.
Kastratin ka akuzar kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi duke thënë se ‘bandat e tij i’a kanë bllokuar votat’.
Votat edhe për një mandat si deputet raportohet se nuk i ka siguruar deri tani as deputeti tjetër nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti.
Haliti i cili ka qenë nënkryetar i Kuvendit dhe për shtatë herë radhazi deputet si duket nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re.
Rezulat të dobët raportohet se ka marrë edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj.
Po pse këto rezultate?
Njohësi i zhvillimeve politike, Avni Arifi, në një prononvim dhënë për “Gazeta Blic” renditi disa nga arsyet se pse mund të ketë ardhur ky rezultat për dy kandiatët për deputet nga koalicionin AAK-NISMA.
“Besnik Tahiri ka marrë shume vota por krejt partia ka marrë numër të vogel te votave, Haki Abazi mund të jetë i ndëshkuar për shkak se baza e tij zgjedhore nuk e ka mbeshtët në petkun e ri partiak e shtoja këtu konkurrencën e fuqishme brenda partisë dhe jashtë partisë” tha Arifi për “Gazeta Blic”.
Ndërsa analisti politik, Arbnor Sadiku, tha se rezultati që marrin kandidatët për deputet nuk varet vetëm nga aktiviteti i tyre por edhe nga mbështetja që kanë strukturat e partisë.
Sadiku tha se ‘te PDK-ja, LDK-ja, e AAK-ja konkurrenca ka qenë e madhe në raport me numrin e vogël të votave që kanë’.
“Nuk mendoj se kjo varet shumë nga aktiviteti i tyre, më shumë varet nga mbështetja që kanë strukturat e partisë. Psh te PDK-ja, LDK-ja, e AAK-ja konkurrenca ka qenë e madhe në raport me numrin e vogël të votave që kanë. Përjashtim bën vetëm VV-ja për shkak të numrit të shumtë të votave që kanë marr, janë shpërblyer edhe deputetëpa pikë kontributi ne Kuvend, pra vota per VV-në është marrë në emër të liderit, Kurtit” tha Sadiku për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/
Përditësimi i fundit nga KQZ-ja: Numërohen 78% e vendvotimeve


