Kryetari i PD, Sali Berisha, ka theksuar se qëndrimi i partisë së tij është mbrojtja e shtetit ligjor dhe se Shqipëria nuk do të ketë një prokurori politike.
Ai ka kritikuar ashpër SPAK-un, duke e cilësuar si një prokurori që përndjek liderët e opozitës, duke arrestuar dhe duke manipuluar zgjedhjet për të siguruar fitore për Edi Ramën.
“Qëndrimi i PD është shteti ligjor. Për PD shteti ligjor është kushti i të gjitha kushteve për të bërë Shqipërinë të madhe përsëri. Është kushti i të gjitha kushteve për realizimin me sukses të të gjithë programit të saj”, tha Berisha.
Sipas tij, një Prokurori që arreston gazetarë dhe liderë opozitarë, dhe që amniston krimin elektoral, është fund e krye një prokurori politike. Ai ka përmendur edhe deklaratat e zv/presidentit të SHBA, JD Vance, i cili theksoi se një mandat demokratik nuk mund të fitohet me censurim dhe burgosje të opozitës.
“Unë besoj fort tek shqiptarët, se një prokurori që arreston 3 liderët politikë, të tre partive kryesore opozitare, një prokurori që rrëmben mandate opozitës, të dhëna nga zgjedhësit, një prokurori që amniston krimin elektoral, një prokurori që arreston gazetarë, është fund e krye një prokurori politike, pavarësisht aktiviteteve të tjera.
Prokuroria që arreston lider të opozitës që Edi Rama të marrë mandatin, dhe nuk po e them unë këtë, por besoj se këtë e tha para Europës dhe botës zv/presidenti i SHBA JD Vance, i cili deklaroi në Mynih se, ju nuk mund të fitoni një mandat demokratik”, shtoi ai.
Berisha gjithashtu ka komentuar një foto të shpërndarë nga Christopher LaCivita, ku përshkruhen Edi Rama dhe Aleksi si “kukulla dhe padroni”. Ai ka lidhur këtë me dyshimet për përfitime financiare të Edi Ramës dhe familjes së tij nga organizata ndërkombëtare, përfshirë USAID dhe Xhorxh Soros.
“Besoj e keni të qartë se, pikërisht në këto qëndrime është edhe ajo fotoja e munguar. Për atë foton e munguar që ta dini ju miq, u mobilizuan aviona dhe miliona. Por ajo fatmirësisht nuk shkrepi.
Dhe jo vetëm nuk u shkrep ajo fotoja, por u nxor nga arkiva një foto tjetër të cilën e ripostoi një nga dy kryestrategët botëror të fushatave elektorale, Cristopher LaCivita, me fjalët poshtë ‘kukulla dhe padroni, Edi dhe Aleksi’. Por çfarë tha padroni, Aleksi? Po e ripublikoi me kërkesa të shumta. Dmth, meqë i fshiu nga mediat sociale në kulturën ‘woke’ Edi Rama fotot, po ua sjell unë shikuesve. Ishte e jashtëzakonshme, pavarësisht se është kundërshtar, por këtë ia bëri ai.
Ajo foto, të themi të vërtetën, kishte dhe një shkak tjetër madhor, sepse në qindra e qindra miliarda të vjedhura para të taksapaguesve amerikanë të Xhorxh Soros dhe para të USAID, në krye të piramidës së hajnisë ndërkombëtare është Edi Rama me bashkëshorten dhe ish-bashkëshorten”, ka thënë kreu i opozitës.
Në fund, Berisha ka theksuar se Shqipëria ka nevojë për një prokurori të pavarur dhe serioze, që nuk bën politikë dhe që nuk shet dosje ose manipulohet për rotacione politike.


