Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në nder të 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka ndarë urdhrin post mortem ‘‘Hero i Kosovës’’, Shaban Jasharit, kryefamiljarit të familjes Jashari.
Dekoratën nga Osmani e ka pranuar Bekim Jashari.
Osmani gjatë fjalimit të saj ka thënë se se familja Jashari është themeli mbi të cilën u ngrit liria e Kosovës.
“Në 17-vjetorin e Pavarësisë sonë, po i bëjmë bashkë historinë, sakrificën dhe krenarinë e këtij kombi në një akt solemn – dekorimin e atyre që e bënë Kosovën të lirë dhe shumë të tjerëve që edhe sot vazhdojnë të ndihmojnë ecjen tonë përpara. Në këtë ditë të shenjtë, në këtë moment solemn, ne nuk po përkujtojmë vetëm një datë – ne po nderojmë një epokë të lavdishme! 17 vjet liri, 17 vjet shtet, 17 vjet betejë për t’i treguar botës se Kosova është e përjetshme! Me të drejtë, Komandanti Adem Jashari, Hamza, e shumë të tjerë, janë nderuar me Urdhrin Heroi i Kosovës. E sot, titullin hero, do t`ia ndajmë Shaban Jasharit, kryefamiljarit të familjes Jashari. Por, deri më sot, familja Jashari si e tillë, si emblemë e lirisë dhe simbol i sakrificës sublime, nuk është dekoruar në tërësi për heroizmin, sakrificën dhe qëndresën e saj të pashembullt. Dekorimi i sotëm i familjes Jashari në tërësi vjen si një akt që synon ta plotësojë këtë mungesë historike, duke e njohur sakrificën e përbashkët të çdo anëtari të familjes që qëndroi dhe luftoi për lirinë e Kosovës. Ky është një moment i rëndësishëm për të riafirmuar se shteti i Kosovës nuk e harron sakrificën më sublime të historisë sonë moderne, por e nderon atë në mënyrë të merituar dhe të plotë”, tha Osmani.
Ajo ka ndarë urdhrin post mortem ‘‘Hero i Kosovës’’ edhe për Fehmi Lladrvocit, e Xhevë Lladrovcit, për trimëri dhe sakrificë për lirinë e vendit.
Këtë urdhër Osmani e ka ndarë edhe për Tahir Sinanin.
“Me të njëjtin frymëzim, bazuar në vendimet paraprake, sot i dorëzojmë Urdhrat Hero i Kosovës edhe për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, dy bashkëluftëtarë dhe bashkëshortë që ranë ashtu siç jetuan – bashkë, me armët në duar dhe me idealin e lirisë së ngulitur në shpirt. Lufta nuk ishte vetëm e burrave; ajo ishte një betejë e përbashkët ku gratë si Xhevë Lladrovci, Yllka Domi, Lumnie Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Lika-Muhaxheri e shumë gra të tjera dhanë po aq, sakrifikuan po aq, ndaj sot, më në fund, po marrin vendin që u takon në histori duke ju ndarë Urdhrin Heroina të Kosovës, atyre për të cilat kjo nuk kishte ndodhur më parë”, deklaroi presidentja.


