Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës i ka dërguar një letër Përfaqësuesës së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.
Në këtë letër asaj i është kërkuar të ndërmarrë hapa konkretë për të detyruar Serbinë të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat shtetërore të saj, përfshirë ato ushtarake, policore dhe të inteligjencës
“Në këtë letër, kemi kërkuar:
– Hapjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të arkivave shtetërore të Serbisë, të cilat përmbajnë informacione kyçe mbi vendndodhjen e të zhdukurve.
– Bashkëpunim të plotë për zbardhjen e rolit të forcave paramilitare dhe bashkëpunëtorëve serbë, të cilët, me mbështetjen e regjimit të Millosheviqit, ekzekutuan dhe zhdukën mijëra shqiptarë.
– Llogaridhënie për refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për të dorëzuar informacion mbi varrezat masive të njohura brenda territorit të saj”, ka shkruar Hoti.
Në 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Hoti ka thënë se pavarësia është arritur me sakrifica të mëdha dhe ne nuk mund të lejohet që viktimat e gjenocidit të harrohen apo të mohohet e drejta e familjeve për të ditur të vërtetën.
“Serbia vazhdon të mohojë përgjegjësinë e saj dhe të sabotojë përpjekjet për drejtësi, duke refuzuar të zbulojë të dhënat mbi vendndodhjen e të zhdukurve. Kosova ka ndërtuar paqen mbi drejtësinë dhe të vërtetën, dhe nuk do të ndalemi deri sa secili i zhdukur të kthehet tek familja e tij dhe Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera”, ka deklaruar tutje ai.


