Lajme

Në Institutin e Historisë do mbahet konferencë shkencore për krimet e luftës në Kosovë

02/17/2025 15:28
nga:Genita C

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë organizon konferencë shkencore, me titull “Shkalla, Trashëgimia, dhe Gjykimi i Krimeve të Luftës në Kosovë”, e cila do të mbahet më 17-19 shkurt 2025, në Prishtinë.

Në këtë ngjarje, në panele të ndryshme do bëhen bashkë profesorë, hulumtues, juristë, sociologë, filozofë dhe profesionistë të profileve tjera, vendas e ndërkombëtarë, të cilët do të prezantojnë gjetjet e tyre mbi krimet e luftës në Kosovë.

Diskutimet do të përqendrohen në shkallën dhe pasojat e krimeve të kryera, metodologjitë më të mira për dokumentimin e tyre, dhe mënyrat se si drejtësia ndërkombëtare dhe vendore kanë trajtuar këto çështje.

Kjo konferencë, është një mundësi unike për të dëgjuar zëra ekspertësh, për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të kontribuar në ndërtimin e një narrative të bazuar në fakte dhe drejtësi.

Konferenca do të hapet sot në orën 16:00, me një ceremoni solemne në Amfiteatrin e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, në Prishtinë. Ndërkaq, 18 dhe 19 shkurti, do të jenë të dedikuara për sesione të prezantimeve akademike dhe panele diskutimi nga ekspertë të fushës.