Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka komentuar mënyrën e numërimit të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ka thënë se partitë nuk e kanë pasur shqetësim sistemin e ri të numërimit, kur kanë mbështetur ndryshimet.
Ai ka shtuar se kjo mënyrë mund të shmang rinumërimin e votave, teksa thotë se në fund saktësia e rezultatit mbetet më e rëndësishme sesa shpejtësia.
Postimi i tij i plotë:
Në katër palë zgjedhjet e fundit, KQZ-së i janë dashur mesatarisht 21 ditë për të shpallur rezultatet dhe 32 ditë nga data e mbajtjes së zgjedhjeve deri në certifikim.
Nga zgjedhjet e 9 shkurtit kanë kaluar vetëm 7 ditë, ndërkohë që për herë të parë po zbatohet një sistem i ri numërimi. Partitë politike që mbështetën këto ndryshime ishin të vetëdijshme se mund të ketë vonesa në shpalljen e rezultateve të kandidatëve, por në atë kohë kjo nuk përbënte shqetësim për to.
Një nga përparësitë e numërimit të votave të kandidatëve në qendrat komunale mund të jetë shmangia e rinumërimeve, të cilat në QNR shpesh arrinin deri në 88.5% të kutive të votimit. Megjithatë, është ende herët për të nxjerrë përfundime. Në fund të fundit, saktësia e rezultatit mbetet më e rëndësishme sesa shpejtësia.


