Lajme

Mazllum Baraliu: Edhe nëse arrin të bëhet një Qeveri e pakicës, do të ketë qëndrueshmëri deri në prill të vitit të ardhshëm

02/15/2025 09:02
nga:Y I

Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me procesin pas-zgjedhor dhe se kush pritet t’a formojë Qeverinë e re.

Baraliu tha se tashmë kjo ende është e pasigurtë sepse nuk dihet se sa nga numri i përgjithshëm i votave i takojnë Vetëvendosjes që janë në diasporë.

Ai tha se tashmë koha e navigimit dhe përpjekjeve që duhet t’i bëjnë qoftë partia fituese qoftë partitë opozitare nëse pretendojnë të bëjnë Qeverinë, të pakicës, që të gjejnë deputetë për t’a bërë numrin prej 61.

“Eshtë ende e pasigurtë sepse nuk e dimë se sa nga numri i përgjithshëm i votave i takojnë Vetëvendosjes që janë në diasporë, janë mbi 80 mijë vota, sa jnë prej tyre të pavlefshme, ende nuk janë numëruar të gjitha. Duhet të shihet se sa janë vota që i takojnë kësaj partie fituese, gjegjësisht këtij koalicioni, nga votat me kusht dhe sa janë nga votat e personave me aftesi të kufizuara dhe të personave që punojnë në institucione dhe nuk kanë mundur të dalin ditën e zgjedhjeve për të votuar. Pra të gjitha këto vota bëjnë shumatoren dhe ne nuk e dimë askush se sa janë të një partie apo një tjetër. Por është presupozim që Lëvizja Vetëvendosje ka një numër më të madh të tyre… nëse ka 50, 60 apo 70 siç përflitet dhe supozohet mund të ketë 1-2 ose 3 deputetë më tepër. Kujdo që i rriten deputetët nga ky numër i tanishëm që është, të tjerëve iu zbriten” tha Baraliu.

Baraliu potencoi se edhe nëse bëhet një Qeveri e pakicës ajo do të ketë qëndrueshmëri deri në zgjedhjen e Presidentit.

“Rezultatin përfundimtar që nuk e kemi, tani nuk mund të thuhet se kush mund t’a bëjë Qeverinë por tani është koha e navigimit dhe përpjekjeve që duhet t’i bëjnë qoftë partia fituese qoftë partitë opozitare nëse pretendojnë të bëjnë Qeverinë, të pakicës, që të gjejnë deputetë për t’a bërë numrin prej 61 deputetë të domosdoshëm, si shumicë e thjeshtë dhe kjo është Qeveri e pakicës, fragjile që mund të ketë qëndrueshmëri deri në muajin prill të vitit të ardhshëm, deri në zgjedhjen e Presidentit, jo më shumë sepse nuk i ka numrat sepse duhet t’i ketë 2/3 për ta zgjedhur edhe presidentin” tha Baraliu në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.