Lajme

Arratiset pasi iu caktua paraburgimi, gjykata e Prishtinës: S’është përgjegjësi e jona

02/14/2025 15:43
nga:N K

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka njoftuar se ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.H. dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse i pandehuri L.H. lihet në liri, i njëjti mund të jetë i paarritshëm për të zhvilluar procedurën penale”, thuhet në njoftim.

Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurit L.H., ka marr informacion se i njëjti pasi që ka pranuar aktvendimin për caktim të paraburgimit, ka arritur që t’i ik Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë kompetent për ta siguruar rastin.

Gjykata Themelore thotë se arratisja e të dyshuarit në rastin konkret, nuk mbetet në përgjegjësinë e saj, pasi gjykata ka ndërmarr të gjitha veprimet e duhura procedurale ashtu siç parashihet me dispozitat ligjore të KPPRK-së.