Lajme

Haradinaj: Vota juaj është veprimi më i madh për vendin tuaj!

02/09/2025 16:45
nga:Genita C

Kandidati i AAK-NISMA për kryeministër, Ramush Haradinaj ka shpërndarë një mesazh për qytetarët e Kosovës, duke e vlerësuar kalimin e zgjedhjeve pa incidente të rëndësishme, raporton GazetaBlic.

Ai falënderoi të rinjtë dhe organizatorët për punën e tyre dhe i inkurajoi ata që nuk kanë votuar ende, ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.

Haradinaj theksoi se vota është veprimi më i rëndësishëm për të formuar të ardhmen e vendit dhe për të zgjedhur përfaqësuesit në Parlament dhe Qeveri.

E plotë:

Të dashur qytetarë të Kosovës me të drejtë vote,

Kosova edhe një herë po e jep provimin e vet të demokracisë. Jam shumë i lumtur që votimet e deritashme kanë kaluar pa asnjë incident serioz dhe në një frymë tolerante e krejtësisht demokratike.

Meritat më të mëdha për këtë mbarëvajtje i kanë vajzat dhe djemtë që janë marrë me organizimin e zgjedhjeve, shtabet e të gjitha partive politike dhe organet ligjzbatuese.

Meqenëse kanë mbetur edhe pak orë deri në mbylljen e kutive, ju që akoma nuk keni votuar, ju ftoj që ta shfrytëzoni të drejtën tuaj dhe të votoni. Vetëm me votë mund të bëheni pjesë e vendimmarrjes e t’i zgjidhni përfaqësuesit tuaj në Parlament e në Qeveri.

Vota juaj është veprimi më i madh që mund ta bëni sot për vendin tuaj!
Me respekt,
Ramush Haradinaj