Lajme

Disa kabina votimi në Shkollën “Rifat Gjota” në Pejë vendosen gabimisht, rrezikohet fshehtësia e votës

02/09/2025 13:03
nga:G B

Disa kabina votimi në qendrën e votimit në degën e dytë të shkollës “Rifat Gjota” në Pejë janë vendosur gabimisht dhe në kundërshtim me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Votimi në këtë pozicion mund të vëzhgohet edhe nga qytetarët që po presin për të votuar, duke rrezikuar fshehtësinë dhe integritetin e votës.

Gazetari i TV Dukagjinit, Mehmet Krasniqi, ka raportuar se pas mbërritjes në këtë qendër në Pejë, atij dhe ekipit të tij iu refuzua hyrja nga menaxheri i qendrës, i cili tha se kishte marrë urdhra të tillë nga zyrtarë të caktuar të KQZ-së.

Pasi kanë insistuar që janë gazetarë të akredituar, ata janë lejuar të hyjnë dhe kanë biseduar me Abdylrrahim Haxhizefajn, zyrtar i KQZ-së, i cili ka treguar se nuk mund të hynin pa një arsyetim për urdhrin që kishin marrë.

“Dyshojmë se arsyeja pse na është tentuar të ndalohemi ka të bëjë me mosrespektimin e rregullave të KQZ-së nga ana e stafit të kësaj qendre, pasi kabinat ishin të vendosura gabimisht dhe mund të rrezikonin fshehtësinë e votës,” ka deklaruar gazetari  i TV Dukagjinit Krasniqi.

Agjencia për Informim dhe Privatësi kishte kundërshtuar vendosjen e kabinave në këtë mënyrë, duke paralajmëruar rrezikun për shkeljen e sekretit të votës.

Pas reagimeve nga kjo agjenci dhe shoqëria civile, KQZ-ja ka marrë vendimin për të ndryshuar vendosjen e kabinave dhe për t’i kthyer ato në pozitën e zakonshme.