Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të arritur ndërmjet Prokurorisë dhe të akuzuarve Ylber Jashari dhe Bekim Baftiaraj, të cilët po akuzoheshin për veprat penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, lidhur me shembjes së çatisë të objektit të Komunës së Prishtinës, ku për pasojë ishte lënduar një qytetare.
“Ne kemi arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, i propozoj gjykatës që ta aprovojë marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, duke vlerësuar se e njëjta është lidhur me vullnetin e palëve dhe është në përputhje të plotë me dispozitat ligjore”, tha prokurori Kujtim Munishi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu edhe mbrojtësit e të akuzuarave, avokatët Sevdai Zejnullahu dhe Besjana Ismajli janë deklaruar se janë në pajtim me marrëveshjen e arritur.
Tutje në këtë seancë, prokurori Munishi, theksoi pas arritjes së kësaj marrëveshja për pranimin e fajësisë, dënimin të cilin e kanë propozuar prokuroria, është 5 mijë deri në 7 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht për të akuzuarin Ylber Jashari. Ndërsa për të akuzuarin Bekim Baftaraj i njëjti propozoi 6 muaj burgim me kusht i cili do të zëvendësohet me gjobë në shumën 3 mijë deri në 4 mijë e 500 euro.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Republikës së Kosovës, (PSRK),të ngritur më 20 janar 2025, Ylber Jasharaj po akuzohet se nga 11 gusht 2023 deri më 18 janar 2024 në ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, në cilësinë e menaxherit të kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, në vlerë totale prej 386 mijë e 96 euro e 20 centë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i kalon kompetencat e tij, duke i mundësuar të përfitojë kundërligjshëm materialisht kompanisë “NBT ING” Sh.p.k dhe duke e dëmtuar buxhetin e Komunës në shumë 36 mijë e 450 euro e 29 centë.
Me këtë po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par 2 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Kurse, Bekim Baftijari akuzohet se më 11 gusht 2023 e deri më 18 janar 2024, në ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, në cilësinë e përgjegjësit të kompanisë “NBT ING” Sh.p.k., i cili ishte i ngarkuar me kryerjen e punimeve, të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore të kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, veproi në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë.
Me këtë, Baftijari dyshohet se ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” na neni 356, par.4 lidhur me par.1 të Kodit Penal.


