Lajme

Xhaferi tregon si Kurti ua bllokoi projektin për ‘Unazën e Kryeqytetit’ – tregon çka u tha në takim

02/06/2025 13:17
nga:G B

Krenar Xhaferi, kandidat për deputet nga LDK, ka kritikuar qeverinë për mos punë, derisa ka thënë se i gjithë suksesi i saj janë dy ura të vogla.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se të gjitha projektet që i kanë lënë, kanë mbetur aty dhe nuk janë vazhduar nga Qeveria Kurti.

“Unë i shoh dy ura të vogla, njëra në Badoc dhe tjetra diku në Istog. Ky është fillimi dhe fundi i investimeve kapitale të kësaj qeverie. Kam qenë këshilltar i ministrit Abdixhiku në ministrinë e infrastrukturës dhe të gjitha projektet kanë mbetur aty ku I kemi lënë. P.sh autostrada e Gjilanit të cilën e vizitova, është gjynah se si mbesin ka 7-8 vjet investimet në të njëjtin nivel dhe nuk shkohet tutje. Kemi nevojë për investime, për zhvillim, për ecje përpara dhe jo bllokada dhe logjika të tilla”, ka thënë ai.

Xhaferi ka treguar se Kurti u ka bllokuar projektin për unazën e kryeqytetit prej dy vitesh.

“Ne e kemi projektin e Unazës së kryeqytetit që e zgjidh krejt problemin e krejt Kosovës sepse një pjesë e tyre e madhe vërshojnë në Prishtinë, rreth 800 mijë persona hyjnë e dalin brenda ditës në Kosovë dhe 140 mijë vetura. Kryeqyteti që 2 vite e ka në tavolinë raportin për nënshkrim të kredisë dhe nga BE e kemi të aprovuar dhe nga kjo kredi 60 milionë janë donacion”, është shprehur kandidati për deputet.

Po ashtu, ai ka treguar se çka u ka thënë Kurti në takim për këtë projekt.

“Në takimin që kemi pasur, kryeministri ka thënë se ata që më kanë sjellë mua në këtë karrige janë shumë të lënduar për humbjen në Prishtinë, andaj unë nuk bie ndesh me vullnetin e tyre. Kjo logjikë e bllokadave duhet të ndalet sepse nuk na çon në zhvillim dhe ecje përpara. Po ta kishim të nënshkruar kredinë për unazën e qytetit, ajo edhe për 2 vitet e ardhshme do të përfundonte dhe ne duhet të mësohemi mos ta bllokojmë njëri tjetrin”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.

Xhaferi ka thënë se e gjithë bllokada është bërë për shkak se nuk janë komunë që udhëhiqet nga VV.

“Unë po flas si Krenar, padyshim që të gjitha bllokadat kanë ndodhur për shkak të kësaj, kemi shumë projekte që kanë mbetur kështu. Logjika e kryeministrit aktual është që t’i bllokojë projektet dhe të sheh një regres të punimeve në Prishtinë. Pavarësisht situatave bllokuese nga qeveria ne kemi pasur sukses të jashtëzakonshëm, me dhjetëra projekte të cilat një pjesë i kemi nisur, një pjesë janë përmbyllur për këtë mandate dhe flasim për 8 vjet qeverisje të VV-së në Prishtinë ku asnjë s’mund të krahasohet me asnjërin nga këtij projekte tona, flasim për Rrugën A, Rrugën B, unazën e kryeqytetit e shumë rrugë të tjera zhvillimore.  Ne e kemi plan që në javën e parë të qeverisë ta nënshkruajmë unazën e kryeqytetit dhe me ia dhënë kryeqytetit këtë projekt. Kjo qeveri shpresoj nuk përsëritet më kurrë në Kosovë sepse të gjitha komunat që nuk kanë qenë të Vetëvendosjes janë me zero ose shumë pak fonde nga qeveria, krahasim me ato që janë të Vetëvendosjes”, shton kandidati për deputet nga LDK.

 

Ai ka përmendur dhe projektet që kanë bërë si drejtor i investimeve kapitale, teksa thotë se kanë kryer punë, pavarësisht bllokimeve nga qeveria.

“Ne unazën e brendshme të kryeqytetit përmbyllet deri në gjysmë të vitit. Po ashtu rruga A merr formë, janë të gjitha këto projekte që i kemi nisur, marrin formë por nuk e zgjidhin problemin e komunikacionit. Çdo kryeqytet i madh e ka problem komunikimin brenda qytetit, pa unazën e madhe të kryeqytetit. Ne kemi punuar shumë. Jemi bllokuar në të njëjtën kohë në të gjitha format kemi tentuar të punojmë. Janë projekte të mëdha që lehtësojnë komunikacionin dhe zhvillojnë qytetin, edhe në kontekstin e ndërtimit por kemi edhe projekte të vogla në çdo lagje. Jam i lumtur që LDK ma ka dhënë mundësinë për të punuar sepse unë kam qenë aktivist i LDK-së fillimisht që nga viti 2002 pjesë e forumit rinor dhe si profesionist të njëjtën kohë, sepse kam një përvojë të madhe sa i përket ndërtimit, që të kontribuoj në qytetin ku jam lindur dhe jam rritur”, ka deklaruar Xhaferi.

Por, pse vendosi Krenar Xhaferi t’i futet garës për deputet?

“Ndoshta eksperienca që e kam edhe në fushë lokale, edhe atë qendrore, eksperienca profesionale, rritja në një familje që i ka dhënë shumë arsimit dhe edukimit të brezave të tërë, ka qenë brumosje për të kontribuar në këtë pjesë. Duke i parë shumë bllokada në nivelin qendror dhe atë lokal, mendoj se mund të jap kontribut në nivelin qendror për shumë probleme në Prishtinë dhe disa komuna të tjera dhe për t’u kthyer sërish në Prishtinë dhe për të vazhduar me punët që i kemi pasur të bllokuara”, ka thënë ai.

Xhaferi tregon prioritetet e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës, derisa shprehet i bindur se LDK do të fitojë më 9 shkurt.

“Jam i bindur që LDK më 9 shkurt do të korrë sukses në krye me kryeministrin Lumir Abdixhiku. Do të angazhohem që Prishtina të lidhet me autostradën e Anamoravës, që të lidhet rruga e Podujevës me Prishtinën, Prishtina me Mitrovicën, Prishtina me Pejën, e Klina me Gjakovën. Kam prioritet unzën e Prishtinës. Ka projekte të shumta që mund të realizohen në Prishtinë dhe që mund të realizohen në dyzim qeveri-komunë. Qytetarët do të ndihen krenarë me punët që do t’i bëjmë si qeveri në drejtim të komunës dhe si Prishtinë në drejtim të komunave të tjera. Si aktivist i LDK-së, dua që LDK ta zë vendin e vet meritor dhe sa herë që Kosova ka qenë në krizë, ka qenë LDK ajo që ia ka dhënë drejtimin edhe në raport me marrëdhëniet me SHBA-të dhe në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe të investimeve. Shikoni, BE ka për detyrë që t’i ndihmojë vendet që nuk janë në Bashkim Evropian dhe ne sot i kemi 1.5 miliardë euro investime të bllokuara nga qeveritë që Qeverinë e Kosovës nuk e shohin bashkëpunëtorë të mirë në raport me BE-në dhe SHBA-të”, ka deklaruar Krenar Xhaferi./Gazeta Blic/