Presidenti palestinez ka thënë se kundërshton me forcë propozimin e Donald Trumpit që ShBA-ja të marrë kontrollin e Gazës dhe t’i rivendosë 2.1 milionë palestinezë që jetojnë atje, raporton BBC.
“Ne nuk do të lejojmë të cenohen të drejtat e popullit tonë…”, theksoi Mahmoud Abbas, duke paralajmëruar se Gaza ishte “pjesë integrale e Shtetit të Palestinës” dhe zhvendosja e detyruar do të ishte një shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar.
Hamasi, lufta 15-mujore e të cilit me Izraelin ka shkaktuar shkatërrim të gjerë, tha se plani i Trumpit do të “vë vaj në zjarr” në rajon.
Ideja është hedhur poshtë nga vende në rajon si Jordania dhe Egjipti, dhe aleatët kryesorë të ShBA-së, teksa OKB-ja lëshoi një paralajmërim kundër “çdo formë të spastrimit etnik”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se Gaza ishte pjesë integrale e një shteti të ardhshëm palestinez, duke thënë në një takim në Nju Jork se të drejtat e palestinezëve për të jetuar si qenie njerëzore në tokën e tyre po rrëshqiten më tej.
Bota, tha ai, kishte “parë një çnjerëzim dhe demonizim sistematik të një populli të tërë”.
Arabia Saudite tha se palestinezët “nuk do të lëviznin” nga toka e tyre dhe se nuk do të normalizonte lidhjet me Izraelin pa krijimin e një shteti palestinez.
Por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se propozimi i Trumpit mund të “ndryshojë historinë” dhe se ia vlen t’i kushtohet vëmendje.
Më vonë të mërkurën, Shtëpia e Bardhë kërkoi të sqaronte propozimin e presidentit Trump, me zëdhënësen Karoline Leavitt duke u thënë gazetarëve se presidenti ishte i përkushtuar për rindërtimin e Gazës dhe zhvendosjen “përkohësisht” të banorëve të saj. Trump tha të martën se zhvendosja do të ishte e përhershme.
Ajo theksoi gjithashtu se presidenti nuk ishte zotuar të dërgonte trupa amerikane në Gaza.
Komentet e Trumpit vijnë dy javë pas fillimit të një armëpushimi të brishtë në Gaza, gjatë të cilit Hamasi ka liruar disa pengje izraelite që mban në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Ushtria izraelite nisi një fushatë për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të një sulmi ndërkufitar më 7 tetor 2023, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng.


