Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, nga tubimi në Drenas, ka thënë se është koha me ia kthy të mirat Drenicës, raporton Gazeta Blic.
Në një tubim të mbajtur në Drenas, kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj prezantoi planin gjithëpërfshirës për transformimin e kësaj komune në një qendër të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Duke theksuar rëndësinë strategjike të Drenasit, Haradinaj paraqiti projektet konkrete që do të realizohen nën udhëheqjen e Koalicionit për Kosovën Fituese.
“Drenasi meriton më shumë dhe do të marrë më shumë,” u shpreh Haradinaj, duke prezantuar projektin e rrugës katër-korsi Drenas-Skenderaj dhe furnizimin 24-orësh me ujë të pijshëm për të gjithë banorët.
Plani parasheh gjithashtu ndërtimin e çerdheve publike dhe një stadiumi të ri, si dhe themelimin e Parkut të dytë të Biznesit në Korroticë.
Në fushën e politikave sociale, lideri i Kosovës Fituese premtoi se asnjë pagë nuk do të jetë nën 1000 euro dhe asnjë pension nën 500 euro.
“Do të ulim çmimin e energjisë për 20% dhe do të trefishojmë subvencionet për bujqit,” shtoi ai, duke theksuar se çlirimtarët do të përfitojnë pension pa shkëputje nga puna.
Programi parasheh mbështetje të veçantë për të rinjtë, duke përfshirë bursa për të gjithë studentët dhe grante pa kthim për nisjen e bizneseve. Haradinaj theksoi se anëtarësimi direkt në NATO dhe aleanca e përhershme me ShBA-të dhe BE-në do të jenë shtyllat kryesore të zhvillimit dhe prosperitetit të vendit.
Postimi i tij i plotë:
KOHA ME IA KTHY TË MIRAT DRENICËS – KOSOVA FITUESE 137
Drenasi meriton më shumë dhe do të marrë më shumë! Rruga me 4 korsi Drenas-Skenderaj do të përfundojë. Furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë do të jetë realitet për të gjithë qytetarët e Drenasit. Do të ndërtojmë çerdhe publike, që secilit fëmijë t’i ipet mundësia e arsimit parashkollor. Stadiumi i ri dhe Parku i dytë i Biznesit në Korroticë do ta transformojnë Drenasin në qendër të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Me Kosovën Fituese 137, asnjë pagë nuk do të jetë nën 1000 euro dhe asnjë pension nën 500 euro.
Do të ulim çmimin e energjisë për 20% dhe do të trefishojmë subvencionet për bujqit.
Çlirimtarët do të marrin pension pa shkëputje nga puna.
Punëkërkuesit do të kenë mbështetje financiare deri në punësim.
Sistemi shëndetësor do të reformohet tërësisht.
Çdo student do të ketë bursë, ndërsa të rinjtë që nisin biznes do të marrin grante pa kthim.
Anëtarësimi ynë direkt në NATO dhe aleanca e përhershme me ShBA-të dhe BE-në janë çelësi i zhvillimit dhe prosperitetit të vendit tonë.
Për Kosovën Fituese


