Lajme

Hamza: Nuk duhet të befasojmë aleatët me veprime të paparashikueshme

02/02/2025 22:44
nga:Genita C

“Duhet me punu shumë me rikthy besim e aleatëve tanë”, kështu ka deklaruar kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza në intervistën në Rubikon.

Hamza, gjatë kësaj interviste tha se është tepër strategjik integrimi në institucionet e Bashkimit Evropian, organizata ndërkombëtare dhe në NATO.

Për më tepër, Hamza theksoi se duhet numër më i madh i njohjeve për konsolidimin e plotë të shtetësisë.

“Kosova e ka rrugën një drejtimëshe drejt integrimit euroatlantik. Prandaj, ne do të jemi partner i besueshëm dhe i parashikueshëm, s`po them veç i vendeve mike por edhe vendeve partnere. Ne do të bashkëpunojmë ngushtë, me Shetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet tjera të botës demokratike, të konsolidojmë dhe forcojmë lidhjet, aleancat tonat, partneritetin tonë. Për neve është tepër strategjik integrimi në institucionet në BE. Anëtarësimi në NATO sa më shpejt që është e mundur duke i respektuar të gjitha fazat. Na nevojitet anëtarësimi në këto institucione. Na nevojiten më shumë njohje edhe me u konsolidu më shumë edhe më u përmbyllë komplet shtetësia jonë. Kjo nuk bahet vetëm nuk është bërë as në të kaluarën. Duhet me punu shumë me rikthy këtë besim të aleatët tanë”, tha ai.

Sipas Hamzës, marrëveshjet e arritura duhet të respektohen.

“Ne nuk duhet me ba veprime me i befasu partnerët tonë. Duhet me i respektu marrëveshjet, derisa të arrihet marrëveshja duhet që të negociohet dhe të pozicionohemi në interesin e vendit tone, por kur të arrihet ajo marrëveshje ne me qenë partner i besueshëm e me respektua atë e mos me ba veprime befasuese”, tha Hamza.