Kandidati për deputet nga Nisma, Zafir Berisha, ka thënë se qeveria Kurti nuk ka pasur suksese por vetëm dështime.
“Suksese se di a ka, një më duket është atje në Saradran njëfarë ure 5 metra që përfundon në livadhet e Adem Grabovcit, përndryshe dështimi më i madh, kryesor dhe tepër i rrezikshëm është krijimi i situatës në veri të vendit të cilës i referohet si sukses, si çlirim sepse të gjithë e dimë se veriu i vendit është problem politik dhe jo ushtarak dhe meqë ai s’ka ditur të bëjë asnjë punë tjetër, ai është marrë me atë pjesë të vendit”, ka thënë ai.
Duke folur për veriun, ai tha se Kosova është çliruar më 12 qershor 1999 dhe ka qenë i pranishëm, ndërsa që Kurti ka qenë në Serbi në atë kohë,
“Veriu është çliruar më 12 qershor, unë kam qenë aty, Albini ka qenë në Serbi kur është çliruar veriu, këto janë muhalife për analfabetët dhe ata që kanë lindur më vonë, përndryshe këto pallavra nuk mund t’ua tregojë Albini njerëzve që e kanë përjetuar. Është e vërtetë që në atë pjesë ku dominohet nga serbët ka pasur një situatë jo shumë të favorshme, jo shumë të mirë, jo shumë të disiplinuar në raport me realitetin që është krijuar, mirëpo me insistimin edhe të ndërkombëtarëve ka vite që është investuar dhe ky për 24 orë gjithë atë investim e ka hedhur poshtë dhe sot me veprimet e papërgjegjshme për një votë më shumë prej kësaj kategorisë së tij, e kemi Kosovën nën sanksione, kjo është e arritura që e ka bërë në atë pjesë”, është shprehur ai në një intervistë për Gazeta Blic.
Kandidati për deputet e ka quajtur propagandë fyese deklaratën e Gërvallës për Haradinajn si “gjeneral të vëtshpallur”.
“Ky është një diskurs që rrjedh nga propaganda e Tanjugut të Serbisë dhe Sputnikut të Moskës tash e 20 vjet. Ramushi dhe shumë Ramusha të tjerë për 20 vjet janë atakuar me propaganda fyese dhe linçuese dhe kjo nuk ka qenë e rastit sepse misionarët e djallit që sponsorizohen dhe financohen nga Beogradi, qëllimin kryesor e kanë për ta devalvuar luftën e lavdishme të UÇK-së dhe çfarë logjike mund të ketë nëse një luftëtar i UÇK-së që ka rënë dëshmor është burrë i mirë, njeri i mirë, ndërsa tjetri që është gjallë nuk është burrë i mirë, është bashkëpunëtor i Serbisë, siç i referohen Ramushit regjimi aktual. Po nisem nga Ramushi por ka edhe shumë të tjerë, për 20 vjet janë atakuar njerëzit që kanë bartur mbi supe përgjegjësinë e lirisë së Kosovës. Ky atakim është bërë me qëllim që të dëmtohet fryti dhe vlera e asaj lufte dhe vlera e asaj lufte është 12 qershori, çlirimi i Kosovës dhe në momentin që dëmtohet ajo vlerë, vihet në pikëpyetje 17 shkurti, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe tashmë siç po dihet botërisht Serbia dhe argatët e saj dhe ndonjë i padijshëm në Kosovë, duan ta dëmtojnë gjithë të arritur që e kanë bërë shqiptarët që nga epoka e Skënderbeut”, ka thënë Zafir Berisha./Gazeta Blic/


