Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Ardian Gjini, vlerëson se kryeministri Albin Kurti ka vepruar në Kosovë sikur të kishte pranuar një listë me direktiva nga Serbia se si shteti yen të shkërmoqej.
Në Rubikon të Klan Kosovës ai theksoi se këtë duhet ta mendojnë qytetarët e Kosovës.
“Nëse Serbia do e kishte bërë një listë të atyre çka do t’ia bënte Kosovës për ta sakatuar, do t’ia niste me: duhet ta prishë me perëndimin, me na përça mes veti sa më shumë të jetë e mundur, duhet me ia mohu të kaluarën vetes ne, me i mohu te arriturat 20-vjeçare, me e mohu ekzistencën e shtetit duke e mohuar flamurin e vendit të vet, qysh me ta shkatërru ekonominë, pra me ia bë ti vetit me i sakatu ndërmarrjet tuaja… krejt këtë listë e kishte bërë Serbia se çka do të na kishte bërë sepse ushtarakisht nuk mund të na sulmojnë për shkak të NATO-s”.
“Kjo kishte me qenë lista që Serbia e kishte shkruar se çka me i bë Kosovës për ta bërë një shtet të shkërmoqur. Dhe kush i ka bërë krejt këto në Kosovë?”, pyeti Gjini, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për kryeministrin Albin Kurti.
Tutje ai shtoi se kjo qeveri i ka dëmtuar edhe ndërmarrjet private, duke refuzuar ta bëjë një letër për t’i ndihmuar ndërmarrjeve vendore.
“Kryeministri i Kosovës nuk prezantohet me flamur të Kosovës dhe nuk ka mohim më të rëndë të dëshirës sonë për ta pasur këtë shtet, e Serbia për një kohë të gjatë në krejt botën ka thënë që ky shtet është fals se këtë shtet nuk e duan as serbët e as shqiptarët. Kush është duke e përçuar këtë mesazh? Me dal me thënë që UÇK janë kriminelë, historia jonë është false, të arriturat tona 20-vjeçare janë false.. kush do të kërkonte këtë? A jeni duke e parë çka po ndodh, apo nuk po e shihni malin prej pemës”, përfundoi Gjini.


