Lëvizja militante palestineze Hamas i dorëzoi katër ushtare gra izraelite të mbajtura peng Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gaza të shtunën, duke i liruar ato në këmbim të rreth 200 të burgosurve palestinezë.
Katër pengjet u çuan në një podium në qytetin e Gazës mes një turme të madhe palestinezësh dhe të rrethuar nga dhjetëra burra të armatosur të Hamasit, shkruan Reuters.
Ato buzëqeshnin përpara se të largoheshin dhe të hynin në automjetet e KNKK-së dhe të transportoheshin te forcat izraelite.
Ndërkohë, zëdhënësi i IDF-së tha se Hamasi “dështoi të përmbushë detyrimet e tij” për të liruar së pari pengjet civile izraelite.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), R Adm Daniel Hagari, ka folur në TV për katër gra pengje izraelite të liruara nga Hamasi sot. Ai tha se katër pengjet e liruar kanë kaluar kufirin për në Izrael.
“Sot … ne mirëpritëm në shtëpi katër pengje të tjerë izraelitë pas 477 ditësh në robëri të Hamasit. Sot ne i përshëndesim dhe i përqafojmë ato dhe familjet e tyre derisa ato ribashkohen tani pas kaq shumë kohësh”.
“Ne nuk mund dhe nuk do të harrojmë 90 pengjet, duke përfshirë gra, fëmijë dhe burra të moshuar, [që] mbeten ende në kushte brutale në robërinë e Hamasit”, shtoi ai.