Lajme

Infektologu Hasani u sulmua nga laboranti i klinikës: Më sulmoi pse kërkuam analizën për pacientin

01/24/2025 09:43
nga:Mergim Rreci

Infektologu Nderim Hasani dje është sulmuar nga laboranti i klinikës M.B. pasi mjeku kërkoi një analizë për pacientin.

Një incident ka ndodhur dje në Klinikën Infektive në QKUK ku një mjek është sulmuar me grushte nga një laborant, shkruan Gazeta Shneta.

Ai tha se u sulmua nga laboranti pasi kërkoi një analizë për pacientin.

“Më ka sulmua pse e kemi kërkua një analizë për një pacient në repart”, ka deklaruar Hasani.

Ai tha se gjatë kujdestarisë një nga koleget e tij kishte kërkuar një analizë për një pacient, por laboranti edhe pas dy orësh nuk e kishte kryer atë. Sipas Hasani, analizën e kishte kryer një infermiere.

Më pas përsëri në mëngjës është kërkuar që analiza të përsëritet për të parë gjendjen e pacientit.

“Erdhi në mëngjes në zyrë dhe më tha me u sqarua pse e kemi kërkuar analizën. Më tha se do të bëj deklaratë. Unë jam ulë sepse isha duke e shkruar raportin e kujdestarisë dhe ai ka filluar të më godasë në kokë. Më kanë rënë syzet dhe mbeta i habitur sepse nuk isha duke e pritur një gjë të tillë sepse s’kishte arsye. Pastaj ka vazhduar të më godas me grushte”, ka thënë Hasani.

Hasani mori ndihmë mjekësore ndërsa laboranti M.B. është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe aktualisht është në mbajtje për 48 orë.