Në Serbi të premten ka nisur greva e përgjithshme e thirrur nga studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme, për të shprehur “një mosbindje të përgjithshme civile”. Mësimdhënësit veçse kanë qenë në grevë.
Që nga shembja e një strehe të stacionit të trenit në Novi Sad më 1 nëntor ku humbën jetën 15 persona, ka nisur një valë pakënaqësie e shprehur me protesta që kanë çuar tani në grevë të përgjithshme, raportoi Danas.
Thirrjes për grevë të përgjithshme njëditore i janë përgjigjur shumë sektorë, ndërsa pritet që edhe ai publik të bashkohet.
Edhe disa zyra të mediave po ashtu janë futur në grevë.
Disa shkolla kanë qenë në grevë prej 20 janarit dhe kanë kërkuar kushte më të mira pune e plotësimin e atyre të studentëve, të cilët po kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave.
Studentët po kërkojnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rikonstruksionin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, heqjen e kallëzimeve penale ndaj studentëve dhe qytetarëve që u arrestuan gjatë protestave dhe pezullimin e procedurave penale të nisura kundër tyre. Ndër tjerash, kërkojnë rritjen për 20% të buxhetit për arsimin e lartë.