Ish-Presidenti Ilir Meta dhe deputetja Monika Kryemadhi i janë drejtuar gjykatës së Tiranës për të zgjidhur martën e tyre 25 vjeçare.
Seanca gjyqësore do të mbahet më 21 Shkurt në orën 10:30 në Gjykatën e Tiranës.
Lajmin për t’u divorcuar e ka konfirmuar ish-Presidenti Meta në Qershor të vitit të shkuar. Në mbledhjen e kryesisë së Partisë së Lirisë, ai shpjegoi dhe arsyet që e çuan në dyert e gjykatës për zgjidhjen e martesës.
“Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të fortë që nga vendimi i saj si kryetare e LSI, për djegien e mandateve që u morën dhe sakrifica dhe gjak në një betejë të hapur me koalicionin e madh anti-LSI dhe anti-Meta të 17 Majit, të Prindit 1 dhe Prindit 2. Qëndrimet e vazhdueshme sistematike të saj, krejtësisht në krah të kundërt, të kauzave që unë mbroj, dhe që krijojnë konfuzion dhe paqartësi në publikun e gjerë, duhet të merrnin fund”, tha ai.
Të njëjtën gjë konfirmoi në reagimin e saj edhe Monika Kryemadhi.
“Të jem e sinqertë çdo gjë e kam menduar, por divorcin nuk e kisha menduar ndonjëherë. Mund të kisha krim pasioni me Ilir Metën, por divorcin nuk e kam menduar kurrë. Unë e kam dashur dhe e dua Ilir Metën, s’ka rëndësi se çfarë bën Ilir Meta. Ai është babai i fëmijëve të mi, është njeriu që më ka bërë kjo që jam. Për të qenë vetvetja, më ka lënë gjithmonë të lirë, e drejtpërdrejtë… Edhe impulsive, edhe pse me kosto. Por kur një gjë mbaron, mbaron! Nuk e mban dot me zor”, shtoi ajo.