Eman Rrahmani nga Koalicioni për Familje ka thënë se vendimi i PZAP-së për të dënuar partinë ku bënë pjesë ai është veprim pa bazë ligjore dhe sipas tij përben një shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave politike të qytetarëve dhe një kërcënim për angazhimin e koalicionit në mbrojtje të vlerave të familjes.
Ai tha se ky veprim është i paargumentuar dhe i pabazuar.
“Koalicioni po përballet me një situatë që cenon angazhimin dhe kauzën e tij për mbrojtjen e familjes”, ka deklaruar ai në konferencë për media.
Ai theksoi gjithashtu se spoti televiziv, i cili sipas tij është në përputhje me vlerat e shoqërisë, nuk përmban asnjë gjuhë urrejtjeje dhe nuk mund të ndalohet.
“Ne nuk mund të ndalojmë asnjëherë gjuhën tonë, ku flasim për vlerat e familjes,” tha Rrahmani.
Koalicioni për Familje theksoi se do të vazhdojë të angazhohet dhe të punojë për mbrojtjen e këtyre vlerave.
Rrahmani gjithashtu bëri një paralajmërim për organizatat që janë të regjistruara në Serbi dhe që, sipas tij, përpiqen të dëmtojnë familjen dhe angazhimin e qytetarëve për vlerat e familjes në Kosovë.
Ai theksoi se disa ligje po tentojnë të cënojnë angazhimin e qytetarëve që kundërshtojnë këto përpjekje.
Koalicioni bëri thirrje për mbështetje nga qytetarët dhe theksoi se do të ndërmarrin hapa ligjorë për të kundërshtuar çdo përpjekje për të ndaluar dhe ndryshuar normat që mbrojnë vlerat e familjes.
“Koalicioni për Familje do të vazhdojë gjithashtu të argumentojë për mbrojtjen e këtyre vlerave dhe të kundërshtojë çdo formë të instrumentalizimit që është në dëm të familjes”, ka deklaruar më tej ai.
Ndryshe, pas ankesës së paraqitur nga CEL Kosova dhe Dylberizm kundër Koalicionit për Familje, ky Koalicion ka marrë gjobën e parë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për përdorimin e gjuhës së urrejtjes.
PZAP të mërkurën i shqiptoi gjobë këtij subjekti politik në lartësi prej 4.500 eurosh. Sipas Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sjelljet e Koalicionit bien ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.