Lajme

LDK-ja fton Kurtin të pranojë ftesën e Abdixhikut për ballafaqim: Populli i Kosovës e meriton këtë debat

01/23/2025 11:27
nga:Gazeta Blic

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, gjatë një konference për media sot, ka përsëritur ftesën e kandidatit për kryeministër të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, drejtuar kryeministrit Albin Kurti për një debat publik mbi të ardhmen e Kosovës.

Mustafa theksoi rëndësinë e një debati të tillë për qytetarët dhe i bëri thirrje Kurtit që t’i përgjigjet kësaj ftese “në çfarëdo vendi” dhe “në çfarëdo kohe.”

“I bëj thirrje të gjitha medieve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i bëjnë një pyetje Albin Kurtit: pse nuk iu përgjigj thirrjes së Lumirit për një debat publik? Në çfarëdo vendi, në çfarëdo kohe.Debat live vetëm rreth një teme: të ardhmen e Kosovë!”, deklaroi Mustafa.

Zëdhënësi i LDK-së theksoi se një debat i tillë është jetik për qytetarët që të kuptojnë qartë se cili lider ka planet më të mira dhe ekipin më të aftë për t’i realizuar ato.

“Po ju pyes të gjithëve: a nuk është kjo gjëja më e rëndësishme? A nuk e meriton populli i Kosovës një debat të vërtetë që të shohë se kush do të kujdeset më mirë për të ardhmen e tyre? Kush i ka planet më të mira? Kush ka aftësi për të realizuar këto plane? Kush ka ekipin për të realizuar këto plane? Unë e di se përgjigja është e qartë, por Kurti duhet të paktën të t’u përgjigjet qytetarëve, t’i përgjigjet popullit.

Ne i bëjmë thirrje edhe një herë.

EJA NË DEBAT. KUDO, KURDO.
POPULLI I KOSOVËS E MERITON DHE PO E KËRKON KËTË DEBAT”, tha Muustafa.

Kujtojmë se kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ftuar në mënyrë të përsëritur Kurtin në një ballafaqim televiziv për të diskutuar plane konkrete për arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen, zhvillimin ekonomik dhe çështje tjera në interes të qytetarëve.

“Le të zgjedhë vendin, datën dhe kohën; madje, le të ftojë edhe publikun nëse ka nevojë për mbështetje morale”, kishte deklaruar Abdixhiku, duke theksuar se debati duhet të fokusohet në “katër vitet e ardhshme” të Kosovës.