Lajme

BBC: Deri në 10,000 trupa mund të dërgohen në kufirin SHBA-Meksikë

01/23/2025 10:40
nga:Sh R

BBC mbrëmë vonë raportoi se 1,500 trupa amerikane po dislokoheshin në kufirin jugor, ku do të ndihmonin në vendosjen e barrierave, por nuk do të përfshiheshin në “zbatimin e ligjit”. Kjo është pjesë e goditjes së Donald Trump ndaj imigracionit.

Por, BBC sot raporton për një përditësim për këtë shifër tani – me një memo të brendshme [dokument i shkruar] të qeverisë, të parë nga partneri amerikan i BBC-së, CBS News, që sugjeron se deri në 10,000 trupa mund të dislokohen.

Memo e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit daton më 21 janar – një ditë pas inaugurimit të Trump – dhe tregon një plan për të dërguar “10,000 ushtarë” për të ndihmuar agjencinë. Rritja fillestare prej 1,500 trupash, që do të dërgohen në San Diego në Kaliforni dhe El Paso në Teksas, do t’i bashkohet 2,500 ushtarëve të vendosur tashmë në kufi.

Në këtë memo thuhet gjithashtu se bazat e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së mund të përdoren si “objekte mbajtjeje” për migrantët që presin të deportohen.

Disa orë pasi u betua si president, Trump shpalli një emergjencë kombëtare në kufirin me Meksikën, duke thënë se “sovraniteti i Amerikës është nën sulm”.

Emigracioni ishte një premtim kyç i fushatës së Trump-it – ai ka bërë premtime të përsëritura për të mbyllur kufirin dhe për të rritur zbatimin.