Tre gjyqtarë dhe tri zyrtare të Gjykatës Supreme të Kosovës u bllokuan për rreth 40 minuta në një ashensor të mërkurën, në ndërtesën e Gjykatës Supreme. Gjatë kësaj kohe, ashensori pati lëvizje të pakontrolluara dhe tronditëse, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e personave brenda.
Sipas një deklarate nga Gjykata Supreme, mosfunksionimi i ashensorëve, të cilët janë nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, po vazhdon të paraqesë rrezik për jetët e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës.
“Gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe stafi mbështetës tash e një vit janë duke punuar në kushte të pasigurta pune, si pasojë e ashensorëve të cilët bllokohen dhe lëvizin në mënyrë të pakontrolluar, e të cilët janë nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sot, për rreth 40 minuta janë bllokuar brenda ashensorit tre gjyqtarë dhe tri zyrtare të Gjykatës, dhe gjatë kësaj kohe ashensori ka pasur lëvizje të pakontrolluara dhe tronditëse. Gjyqtarët dhe stafi janë trajtuar nga stafi mjekësor i Ndihmës së Shpejtë dhe për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Rastet e ngjashme të vitit të kaluar dhe rasti i sotëm shton nevojën që kjo cështje të mos neglizhohet më tutje, por të trajtohet me seriozitet dhe institucionet kompetente ta marrin seriozisht situatën dhe të krijojnë kushtet e punës duke siguruar se jeta e gjyqtarëve dhe stafit të Gjykatës është e sigurt”, thuhet në njoftim.