Lajme

77 ekstradime u realizuan gjatë vitit 2024 nga Kosova në vendet tjera dhe anasjelltas

01/22/2025 13:53
nga:N K

77 persona janë ekstraduar gjatë vitit 2024 nga Kosova në shtetet tjera dhe anasjelltas. Ndërsa, janë realizuar tri ekstradime transit përmes territorit të Kosovës, që e çon numrin e përgjithshëm në 80.

Kështu u bë e ditur nga Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi“, ku u tha se gjatë vitit që lamë pas, organet e rendit në Kosovë realizuan 45 ekstradime nga vendet tjera dhe 32 të tjerë u ekstraduan nga Kosova në shtetet tjera.

Madje, sipas MD-së, në vitin 2024 është thyer rekordi i ekstradimeve të realizuara nga Kosova në shtete të tjera.

Nga përgigja e Ministrisë, bëhet e ditur se Republika e Kosovës, numrin më të madh të ekstradimeve e realizoi nga Gjermania, gjithsej 10 persona. Nga Shqipëria u bënë 8 ekstradime, 6 nga Zvicra, 5 nga Franca, nga 4 nga Kroacia dhe Mali i Zi, 3 nga Italia, 2 nga Maqedonia e Veriut dhe nga një u pranuan nga Anglia, Bullgaria e Belgjika.

Po ashtu, organet e rendit në Kosovë arritën të realizojnë 32 ekstradime në vendet e tjera. Prej tyre, 10 persona u ekstraduan nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, 6 në Shqipëri, 4 në Gjermani, 3 në Turqi. Dhe, nga një person u ekstradua në: Austri, Angli, ShBA, Itali, Mal të Zi, Norvegji, Slloveni, Greqi dhe Zvicër.

Ekstradimi bazuar në rregullat ndërkombëtare realizohet kur një person kryen një vepër penale në një shtet të caktuar dhe gjatë procedurës penale, apo pas caktimit të dënimit, largohet në një shtet tjetër me qëllim shmangien e dënimit.