Lajme

Liderët e Koalicionit “Lista për Familjen” vizituan Odën Ekonomike dhe Shoqatën e Pensionistëve

01/22/2025 12:06
nga:N K

Sot, liderët e Koalicionit “Lista për Familjen” zhvilluan vizita të rëndësishme në Odën Ekonomike të Kosovës dhe Shoqatën e Pensionistëve. Gjatë këtyre vizitave, ata u njoftuan nga afër me sfidat dhe shqetësimet që po përballojnë bizneset vendore dhe pensionistët.

Në komunikatë për media thuhet se koalicioni “Lista për Familjen”, i udhëhequr nga lideri dhe kandidat për deputet, z. Selim Pacolli, së bashku me deputetin z. Visar Korenica dhe z. Bejtush Gashi, u takua me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, z. Lulzim Rafuna. Në këtë takim, u diskutua për zhvillimet ekonomike të vendit dhe për rëndësinë e përkrahjes së prodhimeve vendore. Të dyja palët ishin të një mendimi se shteti i Kosovës duhet të ofrojë më shumë mbështetje për prodhuesit vendorë. Z. Rafuna theksoi disa prej sfidave kryesore me të cilat përballen bizneset vendore, përfshirë mungesën e fuqisë punëtore.

Ndërkohë, lideri i koalicionit, z. Selim Pacolli, shpjegoi se, sipas planit programor të Koalicionit “Lista për Familjen”, parashihet krijimi i një gjykate ekonomike, e cila do të lehtësojë zhvillimin ekonomik të vendit. Deputeti z. Visar Korenica vlerësoi punën e deritanishme të Odës Ekonomike dhe theksoi se Koalicioni “Lista për Familjen” do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve të punësimit dhe mbështetje për prodhimin vendës.

Pas vizitës në Odën Ekonomike, Koalicioni “Lista për Familjen” u takua me Shoqatën e Pensionistëve, ku diskutuan për rëndësinë e mbrojtjes dhe përkrahjes së pensionistëve në vend. Z. Selim Pacolli theksoi se familja do të mbetet gjithmonë një prioritet kryesor i Koalicionit, ndërsa z. Visar Korenica theksoi se Koalicioni do të luftojë për të mbrojtur institucionin e familjes dhe për të kundërshtuar çdo përpjekje që mund të dëmtojë këtë institucion të shenjtë.

Gjatë këtij takimi, ushtruesi i detyrës së Shoqatës së Pensionistëve theksoi mbështetjen e koalicionit për pensionistët dhe ngriti disa kërkesa kryesore. Një nga kërkesat e tyre primare ishte ligji për fondin pensional, si dhe shqetësimi për paraqitjen e pensionistëve çdo gjashtë muaj, një praktikë që ata e konsiderojnë si një pengesë të madhe. Koalicioni “Lista për Familjen” premtoi se ky vendim do të eliminohet, duke siguruar që ky proces të jetë më i thjeshtë dhe më i drejtë, si pjesë e planit qeverisës të koalicionit.

Koalicioni “Lista për Familjen” mbetet i angazhuar për zhvillimin e ekonomisë vendore dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve, duke i dhënë përparësi prodhimeve vendore dhe mbështetjes për çdo pjesëtar të shoqërisë.