Lajme

Kurti: Mbështetje për fermerët, subvencionet do të rriten për blegtorët dhe bletarët

01/21/2025 19:04
nga:G C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar angazhimin e qeverisë për përkrahjen e fermerëve gjatë katër viteve të fundit, duke shpërndarë mbi 300 milionë euro për rreth 120 mijë përfitues, raporton GazetaBlic.

Gjatë një vizite në fermën e deleve të familjes Shalaku dhe në bletarinë e Kelmendit dhe Stullqakut, ai theksoi rritjen e subvencioneve për blegtorët dhe bletarët.

“Subvencionet për dele janë rritur nga 20 euro në 30 euro për kokë, ndërsa ato për koshere nga 15 euro në 25 euro. Për herë të parë, janë subvencionuar bimët mjaltëdhënëse me 450 euro për fermerët”.

Kurti u shpreh se ky mbështetje do të vazhdojë edhe pas 9 shkurtit.

E plotë:

Përkrahja e shtetit për fermerë anekënd, cep më cep vendit, ka qenë prioritet i politikave tona. Mbi 300 milionë euro për afër 120 mijë përfitues në katër vjet.

Dje ishim për vizitë në fermën e deleve të familjes së Xhelal Shalakut në fshatin Dardhishtë, dhe në bletarinë e Hyd Kelmendit dhe Trimor Stullqakut në fshatin Hamidi. Përkrahjen për blegtorët e deleve dhe bletarët e kemi rritur në vazhdimësi. E gjetëm me 20 euro subvencion për kokë dele, ndërkaq në programin e sivjetmë do të jetë 30 euro – 50% më shumë. Në vitin 2020 subvencionimi për koshere ishte 15 euro, sivjet do të jetë 25 euro – mbi 66% më shumë. Për herë të parë në vend e rajon, po subvencionojmë bimët mjaltëdhënëse me 450 euro, duke krijuar mundësi për më shumë të hyra për fermerët nga prodhimi shtesë i mjaltit nga bimët dhe bletë më të shëndetshme. Në dy vjet e fundit fondin blegtoral për gjedhe e kemi rritur për 11.3 milionë euro.

Me të njëjtin ritëm, duke synuar më shumë e më mirë, vijojmë edhe pas 9 shkurtit.