Lajme

Abdixhiku: Rugova la pas vetes trashëgimi të pasur, një shkollë politike, bazament për punën time e të partisë që drejtoj

01/21/2025 14:33
nga:Sh R

Kandidati i LDK’së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot po kujtohet jeta dhe vepra e ish presidentit Rugova përmes një libri homazh kushtuar atij që është botuar në 80 vjetorin e lindjes së tij.

“Sot, po e kujtojmë jetën dhe veprën e presidentit tonë historik, përmes një libri homazh kushtuar atij, që është botuar në 80-vjetorin e lindjes, e në të cilin libër, janë bashkuar studiues të fushave të ndryshme, shkrimtarë e gazetarë të shquar nga të gjitha hapësirat shqiptare. Dhe ky besoj se është nderimi më i mirë që i bëhet veprës dhe kontributit të tij për kulturën e vendin tonë, për çka i falënderoj të gjithë këta autorë që janë bërë pjesë e këtij libri.”

Ai ka shtuar se kujtimi dhe nderimi i Rugovës përmes një libri, është nderimi më i mirë që i bëhet jetës dhe veprës së tij, “sepse Rugova, parasëgjithash ishte njeri i librit dhe ka shkruar librin më të çmueshëm e më të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare: Shtetin e Kosovës”.

“Dhe në këtë përvjetor të 19-të të kalimit të tij në amshim, ne po pasurojmë mendimin kulturor e politik për Rugovën, trashëgiminë e Rugovës, si unike, të pashtershme, me një libër të ri, të botuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova” me titull, “Rugova-prijësi intelektual.””

Ai ka thënë se në librin “Rugova- prijësi intelektual” janë përfshirë studime, ese e vlerësime të autorëve të ndryshëm, pra nga të gjitha hapësirat shqiptare, të moshave të ndryshme.

“Rugova është prijësi intelektual dhe në këtë libër, janë përfshirë studime, ese e vlerësime të autorëve të ndryshëm, pra nga të gjitha hapësirat shqiptare, të moshave të ndryshme, që e nënvizojnë këtë dimension, por edhe paraqesin pamje tjera të kontributit madhor të Rugovës për politikën, kulturën dhe artin shqiptar. Dhe kjo është shenja më e mirë e dëshmia më e qartë e jetës aktive që bën vepra e Rugovës në realitetet e reja, si dhe dëshmi e vlerës shumëdimensionale që ajo ka për secilën kohë.”

Abdixhiku ka thënë se Rugova ka lënë pas vetes “një trashëgimi të pasur, një shkollë politike, bazament për punën time e të partisë që drejtoj”.

“Rugova është njeriu që i dha formë e përmbajtje shtetit tonë, ai është prijësi politik e kulturor, që na udhëhoqi me dije, vullnet e përkushtim në kohë shumë të vështira; i pathyeshëm përballë sfidave dhe i palëkundur në idealet sublime, për liri, pavarësi e demokraci perëndimore. Fondacioni “Ibrahim Rugova” ka bërë punë të mirë ndër vite, në fushën e botimeve, duke botuar vepra të Ibrahim Rugovës, duke mbledhë e sistemuar krijimtarinë e tij të shpërndarë në shtypin e kohës, duke botuar vepra si kjo, të autorëve e studiuesve për Rugovën, por edhe duke botuar vepra të autorëve të tjerë me interes publik. Kështu, ne jemi duke u kujdesur, që ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta përcjellim te breznitë e reja rugovizmin, në mënyrën më burimore, mendimin e tij politik, letrar e kulturor, të bindur se një trashëgimi e tillë është pasuri e madhe, shumë e vlefshme dhe e pazëvendësueshme, për ta kuptuar Kosovën e djeshme dhe për t’u shërbyer prej saj, për ta ndërtuar Kosovën e nesërme.”

Ky libër sipas Abdixhikut “ vë në spikamë cilësitë e larta të prijësit intelektual, botën e tij të veçantë krijuese, shpirtin tolerant, idetë humane, forcën e mendimit, aftësitë bashkëpunuese, sinqeritetin, vlera për të cilat kemi nevojë përherë si shoqëri, e sidomos në kohë të vështira kur këto vlera përmbysen”.

“Rrugëtimi i vështirë, por i kujdesshëm i Presidentit Rugova drejt fitoreve, nuk është vetëm një tregim për të djeshmen e Kosovës, për historinë tonë, por më shumë një tregim i bukur që na çon drejt së nesërmes, një mundësi e mirë për fitore, për të kuptuar si ecet me vetëdije kah e ardhmja më pozitive e përparimi. Rugova punoi tërë jetën, që ta lartësonte identitetin e lashtë shqiptar, të Dardanisë Antike dhe këtë vend, ta lidhte me familjen perëndimore dhe kjo vlerë nënvizohet sa herë flitet e shkruhet për të e personalitetin e tij. Rugova u vu në aksion politik si intelektual e krijues, kur populli i tij iu nënshtrua agresionit serb e dhunës, dhe si letrar i suksesshëm, nisi betejën politike, për t’u bërë udhëheqës i suksesshëm, duke themeluar Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe projektin e shtetit të Kosovës, të cilin e udhëhoqi deri në vdekje. Me punë, urtësi, e kulturë të lartë ai është Ati Themeltar i shtetit tonë.”