Sporti

Kosova U18 triumfon në “IHF Trophy”, fiton finalen dramatike ndaj Bullgarisë

01/18/2025 23:09
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Kosovës në hendboll për grupmoshën U18 ka arritur një sukses të madh, duke fituar trofeun “IHF Trophy” për zonën evropiane.

Turneu është zhvilluar gjatë kësaj jave në “Pallatin e Rinisë dhe Sportit” në Prishtinë, ku Kosova doli fituese pas një finale dramatike kundër Bullgarisë, të përfunduar me rezultatin 33:31.

Në ndeshjen finale, Kosova ka shkëlqer në pjesën e parë, duke krijuar një avantazh prej gjashtë golash dhe mbyllur pjesën me rezultatin 18:12. Megjithatë, pas pushimit të gjatë, Bullgaria është rikthyer, duke e ngushtuar diferencën dhe e bërë ndeshjen tejet interesante deri në fund.

Golashënuesi më i mirë për Kosovën ka qenë Edonis Hajra, me dhjetë gola, i ndjekur nga Olsi Mulaj me nëntë gola dhe Granit Kadiri me shtatë gola. Ilir Istrefaj ka kontribuar me katër gola, ndërsa Amar Muqolli ka shënuar tri herë.

Nga ana tjetër, Ivan Petkov ishte më i miri për Bullgarinë, me katërmbëdhjetë gola.

Në rrugën drejt triumfit, Kosova është paraqitur në Grupin B, duke mundur Moldavinë 35:26 dhe Bullgarinë 35:33, për të siguruar kualifikimin në gjysmëfinale si e para e grupit. Në këtë fazë, “Dardanët” kanë mposhtur Britaninë e Madhe me rezultatin 29:26, duke siguruar një vend në finale.

Ky sukses i siguron Kosovës U18 një vend në fazën ndërkontinentale, ku do të garojë për një biletë në Kampionatin Botëror për grupmoshat e reja.