Lajme

Osmani pret delegacionin e AP të KE-së, flasin për zgjedhjet parlamentare

01/17/2025 15:12
nga:Sh R

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Petra Bayr, i cili do t’i vëzhgojë zgjedhjet e 9 shkurtit.

Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ndaj institucioneve të Kosovës, ku ky mision për herë të parë do t’i monitorojë zgjedhjet në Kosovë.

“Në takim u theksua se zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 janë zgjedhjet e para të rregullta që do të mbahen në përputhje me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndaj Presidentja vlerësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e proceseve demokratike në vend”.

“Presidentja Osmani nënvizoi nevojën për një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, sikurse edhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke siguruar qasje të plotë dhe të barabartë në qendrat e votimit”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më tej, e para e shtetit potencoi se Kosova mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ku sipas saj, do të vazhdojë ta fuqizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.