Lajme

Specialja u lejon ish-krerëve të UÇK-së votimin në zgjedhje

01/17/2025 10:58
nga:N K

Ish-pjesëtarët e UÇK-së, që aktualisht po mbahen të paraburgosur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të kenë mundësi të marrin pjesë në procesin zgjedhor si votues.

Këtë e ka konfirmuar për RTKlive, Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Janë marrë të gjitha masat që të paraburgosurit të ushtrojnë të drejtat e tyre qytetare si qytetarë të Kosovës për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka thënë Doyle.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje ka njoftuar se është në kontakt me Dhomat e Specializuara për organizimin e votimit për ish-ushtarët e UÇK-së.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për RTKlive se procesi i votimit do të organizohet në përputhje me rregullat e KQZ-së.

“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në kontakt me Dhomat e Specializuara për organizimin e votimit për shtetasit e Kosovës të cilët ndodhën në Hagë. Procesi i votimit do të organizohet në përputhje me rregullat e KQZ-së”,ka thënë Elezi.