Lajme

Manaj: LDK do t’i fitojë zgjedhjet, VV do të pësojë humbje – qytetarët janë kundër kësaj qeverie

01/21/2025 12:05
nga:Mergim Rreci

Shkëmb Manaj, kandidat i LDK-së për deputet, në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashin, ka folur për kandidaturën e tij në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas tij, aktualisht ka një disponim të jashtëzakonshëm për goditjen e qeverisjes aktuale.

“Terreni ka ndryshuar shumë, unë kam qenë pjesë edhe e garës së vitit 2019, e cila ka qenë e favorshme për LDK-në, por kam qenë edhe pjesë e zgjedhjeve të vitit 2021, të cilat kanë qenë shumë të pafavorshme për LDK-në dhe partitë e tjera të cilat kanë qenë atëherë në pushtet. Tash, po shohim se ka një disponim të jashtëzakonshëm për goditjen e qeverisjes aktuale, ka një kundërshtim të madh ndaj kësaj qeverisje dhe ka një rikthim të madh të votuesve tek Lidhja Demokratike e Kosovës. Ju e dini që LDK-ja në vitin 2021, ka qenë me rezultatin më të keq në historinë e saj, andaj ne si strukturë partiake e kemi marrë mesazhin. 14 shkurt ishin zgjedhjet, kursr me 14 mars është zgjedhur lidershipi i ri i LDK-së dhe gjatë këtyre katër viteve e kemi mbajtur edhe Kuvendin e Rregullt,ku kemi pasur konsolidim të madh në aspketin strukturor, por edhe në aspekt të programit. Anëtarësia e LDK-së është kthyer në shtëpi, por kemi edhe një elektora të ‘fjetur’, elektorat që nuk ka votuar më herët, e të cilin po e shohim sa ka një afirmitet për të votuar LDK-në. Elektorati i vitit 2021 nga LDK, e i cili e ka votuar VV-në, nuk ka qenë elektorat i kësaj partie, por ka shkuar atje për shkak të zonjës Vjosa Osmani. Ky elektorat tashmë është rikthyer në LDK. Shumica dërmuese e tyre janë kthyer, sepse e kanë kuptuar edhe relacionin që e ka Osmani me Vetëvendosjen dhe me Listën Guxo. Zonja Osmani sot nuk e ka asnjë raport me asnjërën, as me zotin Kurti e as me Listën Guxo, ajo nuk e përfaqëson asnjërën. Ajo e ka shprehur kundërshtimin e saj me qeverisjen aktuale, duke përshirë edhe pjesën e partisë që dikur e ka udhëhequr. Mesazhi i saj i ka qenë i drejtpërdrejtë për të gjithë anëtarësinë e LDK-së, që ai të kthehet në LDK, sepse rruga e vetme e ndryshimit dhe rruga i vetme që i duhet Kosovës, me një qeverisje stabile, mund ta bëjë vetëm LDK-ja”, ka thënë ai.

Manaj thotë se presin t’i fitojnë zgjedhjet dhe shton se VV do të pësojë humbje.

“Ne presim që t’i fitojmë zgjedhjet. Lëvizja Vetëvendosje do të pësojë humbje. Mënyra se si është duke u sjellur kryeministri, se si është duke bërë fushatën është shqetësuese. Mendoj që qytetarët e Kosovës nuk durojnë lider që ofendojnë të tjerët. Asnjë lider opozitar nuk bën të sillet në mënyrën se si po sillet Kurti. Duke e njohur natyrën e tyre të funksionimit, këta e kanë pasur gjithmonë formë të veprimit konfrontimin dhe jo përbashkimin. Këta janë kthyer në origjinalitetin e tyre, sepse kjo është origjina e tyre, konfrontimi. Kjo është një mënyrë e veprimit që ndoshta në vitet e 90-të e ka udhëhequr zotëri Qosja, e cila ka qenë në një mënyrë apo tjetër kundërshtuese ndaj frymës të LDK-së dhe presidentit Rugova, e cila ka qenë përbashkimit, duke punuar për të mirën e vendit edhe me kundërshtarët politikë. Kjo gjuhë do t’i kushtojë rëndë Kurtit në këto zgjedhje dhe besoj se qytetarët do t’ia tregojnë vendin me datën 9 shkurt”, është shprehur kandidati për deputet nga LDK.

Ai shton se qytetarët janë kundër Vetëvendosjes dhe këtë do ta tregojnë te kutitë e votimit.

“Qytetarët po japin një frymë të madhe kundërshtuese ndaj qeverisë, madje shkon deri në atë nivel kur qytetarët po frikësohen se Vetëvendosje do të fitojë edhe njëherë, deri në këtë fazë ka ardhur frika e qytetarëve, e cila mendoj se do të kthehet në një ‘bumerang’ tek kutitë e votimit. Ata presin që Kosovës t’i kthehet një qeverisje normale, një qeverisje e përgjegjshme, e cila do të merret me jetën e qytetarëve, me zhivllimin ekonomik të vendit, zhvillimin e infrastrukturës, por edhe në ruajtjen e miqësisë me aletatët e vendit, që nënkupton se duhet ta shtrijmë sovranitetin në gjithë vendin, së bashku dhe në koordinim me miqtë e Kosovës. Janë bëra disa hapa nga qeveria, por nuk janë bërë të gjitha. Ne duhet t’i falënderohemi deri në gjunjëzim Policisë së Kosovës, e cila është duke bërë punën më të madhe në atë territor. Në kuadër të saj, shumë pjesëtarë të saj e kanë dhënë jetën për të ruajtur sovranitetin e Republikës së Kosovës. Kjo polici është policia që dikur kjo qeverisje e ka goditur me gurë. Ne mendojmë që Policia e Kosovës meriton respektin më të madh, sepse është duke e kryer punën në rrethana shumë të vështira, pa mbështetje, por me një mision fisnik për t’a mbrojtur shtetin e Kosovës”, ka theksuar Manaj.

Ai ka treguar se si do të kontribuojë në Kuvend si deputet.

“Mendoj se lista e LDK-së ka shumë personalitete që duhet të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Unë mendoj që mund të kontribuojë në aspektin e legjislacionit, sepse e kam udhëhequr Komisionin për Legjislacion në Kuvend. Si jurist, si njohës edhe i çështjeve politike dhe juridike dhe kushtetuese, mendoj që jam një profil që i duhet Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të garantojmë se të gjitha ligjet e nxjerrura të jenë në pajtim me të gjitha instrumentet ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e vendit. Një kontribut të madh mund ta jap edhe në pjesën e administratës publike, duke e njohur profilin tim, ku kam punuar shumë me këtë fushë. Kam qenë pjesë edhe e qeverisë, edhe e parlamentit, e kam udhëhequr Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si institucion i pavarur kushtetues dhe tash jam edhe në pjesën e qeverisjes lokale, pra të gjitha komponentët e qeverisjes kam qenë i përfshirë, andaj mendoj se gjithë ky potencial i imi mund të përkthehet mirë. Angazhimi im do të jetë edhe në nxjerrjen e shumë projekteve për Dukagjinin, në mënyrë që ajo pjesë të jetë e zhvilluar si pjesët e tjera të Kosovës. Mendoj që edhe në realcion me kryeqytetin, duhet të bëjnë shumë punë. Kjo qeveri, kryeqytetin e ka konsideruar njëjtë sikur komunat e tjera. Më shumë ka marrë buxhet Shtimja se sa kryeqyteti, kjo ishte qasja e qeverisë. Komuna e Prishtinës ka plotë pengesa politike, por edhe ligjore dhe administrative, e të cilat ia pamundësojnë zhvillimin. Ne duhet që brenda një viti që këto pengesa në raport me kryeqytetin t’i kalojmë, t’i japim frymë të zhvillimit, sepse po flasim për kryeqendrën e Kosovës”, ka deklaruar kandidati i LDK-së për deputet, Shkëmb Manaj./Gazeta Blic/