Lajme

Në Graçanicë u mbajt trajnimi për zyrtarët e gjendjes civile

01/16/2025 15:13
nga:N K

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në bashkëpunim me Zyrën e Shefit të Misionit të UNHCR-së në Prishtinë, organizoi sot në Graçanicë një trajnim për zyrtarët e gjendjes civile nga komunat Parteshi, Kamenica, Klokot, Partesh, Fushë-Kosovë, Sherpcë Lipjan, dhe Novoberdë lidhur me zbatimin e Vendimit të Ministrit të Punëve të Brendshme Nr. 0616/2024, për aspektet teknike dhe administrative.

Sipas njoftimit, hapjen e këtij trajnimi në emër të MPB-së e bëri znj. Jeta Tela, shefja e Kabinetit të Ministrit të MPB-së, e cila theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për të mundësuar që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i kanë regjistruar faktet e gjendjes civile (lindjen, martesën dhe/ose vdekjen) në strukturat jo-legale serbe gjatë periudhës 10 qershor 1999 deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të kenë të drejtë të aplikojnë për regjistrimin e këtyre fakteve në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës.

Ajo vlerësoi se roli i stafit të gjendjes civile është kyç në realizimin e këtij procesi duke ju kthyer ligjshmërisë dhe duke gëzuar të drejtat dhe shërbimet që u takojnë si qytetarë të Republikës së Kosovës.

Në përmbyllje, znj. Tela theksoi rëndësinë e angazhimit të secilit zyrtar për të siguruar zbatimin e suksesshëm të këtij procesi, duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe avancimin e Kosovës, për të gjithë qytetarët pa dallim.

Pjesëmarrësit në trajnim u informuan mbi procedurat dhe hapat që duhet të ndjekin për realizimin e regjistrimit, duke siguruar transparencë dhe saktësi në çdo fazë të procesit.

“Ky trajnim synon të garantojë një implementim të suksesshëm të regjistrimit të fakteve të gjendjes civile për qytetarët e regjistruar në struktura ilegale dhe paralele serbe gjatë periudhës nga 10 qershor 1999 deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi”, thuhet tutje në njoftim.