Lajme

UNMIK-u i shqetësuar me aksionin për mbylljen e strukturave paralele: Çështjet e pazgjidhura të diskutohen në dialog

01/16/2025 12:23
nga:G C

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, në një deklaratë të lëshuar sot është shprehur e shqetësuar me aksionin e djeshëm që rezultoi me mbylljen e strukturave paralele në dhjetë komuna, mes të cilave edhe disa zyre postare dhe qendra të mirëqenies sociale.

Në deklaratën e UNMIK-ut thuhet se mbyllja e tyre mund të ketë ndikim në jetën e qytetarëve të komunitetit serb, të cilët varen drejtpërdrejt nga këto institucione.

Shefja e UNMIK-ut ka thënë se çështjet e pazgjidhura duhet të diskutohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Ziadeh përsërit thirrjet e saj që çështjet e pazgjidhura të diskutohen në mënyrë konstruktive, në komunikim të hapur dhe në mirëbesim brenda Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ajo u bën thirrje të gjithëve që të punojnë drejt zgjidhjeve të negociuara dhe të qëndrueshme për mirëqenien dhe sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, si e vetmja rrugë e pranueshme përpara”, thuhet në deklaratë.