Lajme

Serwer: Nën Trumpin e dytë, situata në Ballkan mund të përkeqësohet

01/16/2025 09:57
nga:N K

Daniel Serwer, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në SHBA dhe njohës i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, ka ngritur shqetësime për përkeqësimin e situatës në rajon, sidomos në raportet Kosovë-Serbi, gjatë administratës së dytë të Donald Trump.

Sipas një analize të publikuar në faqen e tij, Serwer ka theksuar se edhe administrata e presidentit në largim, Joe Biden, ka ndjekur një politikë që favorizon Serbinë, duke mbështetur krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Për pjesën më të madhe të administratës së Bidenit, Gab Escobar, ish-VKM në Beograd, udhëhoqi për Ballkanin në shtet. Krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ai e bëri prioritet të tij ekskluziv. Kjo do të thoshte t’i jepte Beogradit atë që donte më shumë, ndërsa Prishtinës t’i jepte asgjë. Kjo nuk do të funksiononte kurrë, dhe nuk ndodhi. Por njerëzit e Bidenit vazhduan të anojnë drejt Beogradit”, ka shkruar Serwer.

Ai ka kritikuar këtë qasje, duke e cilësuar si të njëanshme dhe të padrejtë për Kosovën.

Profesori amerikan gjithashtu ka paralajmëruar se administrata e re e Trumpit mund të ndjekë një kurs të ngjashëm ose më të theksuar, ku ndikimi i Jared Kushner, dhëndrit të Trump, mund të orientojë politikën amerikane drejt favorizimit të Beogradit, duke injoruar interesat e Kosovës.

“Nuk pres më mirë nga administrata e dytë e Trump. Jared Kushner, dhëndri i Trump i financuar nga Arabia Saudite, ka kërkuar projekte investimi si në Serbi ashtu edhe në Shqipëri. Me sa jam në dijeni, ai nuk e ka vizituar as Bosnjën apo Kosovën. Ju mund të prisni që Trump të mos bëjë asgjë që do të rrezikojë projektet e Kushnerit apo paratë e tij saudite. Kjo do të thotë një anim i vazhdueshëm drejt Beogradit dhe larg Prishtinës, por jo larg Tiranës…Amerikanët kanë qenë mbështetës nën Biden. Kjo do të vazhdojë edhe nën Trump”, ka shkruar mes tjerash ai.