Lajme

Haxhiu: Skandaloze deklarata e Prokurorisë për mbylljen e zyrave të strukturave ilegale

01/15/2025 16:47
nga:G B

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila ka bërë të ditur se nuk ka dhënë autorizim për bastisjet e ndërmarra në zyrat e strukturave ilegale serbe në Kosovë.

Sipas Haxhiut, veprimi i prokurorisë është i papranueshëm dhe ky institucion ka dështuar të reagojë në kohën e duhur ndaj veprimtarive të strukturave ilegale.

“Çfarë deklarimi skandaloz i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Në vend që të vepronin shumë vite më parë dhe t’i mbyllnin zyrat e strukturave ilegale, ata sot lëshojnë komunikata kundër veprimeve të ligjshme dhe të drejta të policisë. A ka kush që i kupton këta zyrtarë të shtetit që mbajnë emrin prokurorë? Në shërbim të kujt janë?”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në deklaratën e saj, ka bërë të ditur se nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për të autorizuar bastisjet në lokacionet ku u mbyllën strukturat paralele serbe.

Për më tepër, prokuroria ka theksuar se nuk janë dorëzuar prova që do të krijonin dyshimin e bazuar për ndonjë vepër penale në kompetencë të saj.