Lajme

Ish-kryetari i PDK-së për 5 fshatra në Drenas, Arton Cervadiku, i bashkohet AAK-së

01/15/2025 16:36
nga:Gazeta Blic

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është forcuar me një anëtar të ri. Arton Cervadiku, ish-komandant i Togut të Njësisë Speciale pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ish-kryetar i PDK-së për Poklek të Vjetër, Poklek të Ri, Korroticë e Epërme, Korroticë e Ulët dhe Vasilevë, ka vendosur t’i bashkohet AAK-së.

Cervadiku, i njohur për kontributin e tij në Luftën Çlirimtare si pjesë e Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” dhe më pas si komandant në Njësinë Speciale-Diverzanto Vëzhguese, është pritur nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ish-komandanti Cervadiku, i cili mban katër plagë lufte dhe ka shërbyer në Ministrinë e Punëve të Brendshme në periudhën e pasluftës, është gjithashtu bartës i gradës master në shkenca të sigurisë të drejtimit Juridik-Kriminalistikë.

Duke shpjeguar vendimin e tij, Cervadiku theksoi se do t’i mbështesë bashkëluftëtarët në AAK me të njëjtin përkushtim që ka treguar gjatë gjithë karrierës së tij politike dhe ushtarake.