Lajme

Liderët e Koalicionit për Familjen dhe Ambasadori Walker nderojnë viktimat e Masakrës së Reçakut

01/15/2025 13:58
nga:N K

Liderët e Koalicionit për Familjen, përfshirë Prof. Dr. Ferid Agani, Selim Pacolli, Fatmir Smajli dhe Eman Rrahmani, bashkë me Ambasadorin William Walker, vizituan sot fshatin Reçak për të nderuar viktimat e masakrës tragjike që ndodhi më 15 janar 1999. Ata zhvilluan homazhe në varrezat e viktimave, duke shënuar përvjetorin e kësaj ngjarjeje të dhimbshme në historinë e Kosovës.

Gjatë ceremonisë, liderët dhe Ambasadori Walker bënë thirrje për të mos harruar sakrificën e viktimave dhe për rëndësinë e drejtësisë dhe kujtesës historike për brezat e ardhshëm. Ambasadori Walker, i cili denoncoi masakrën në kohën kur ndodhi, shprehu falënderime për mbulimin mediatik të ngjarjes, duke e cilësuar si një moment historik për Kosovën. Ai theksoi: “Çdo vit qëndroj këtu dhe jam i lumtur që shoh njerëz nga e gjithë Kosova dhe e gjithë bota që marrin pjesë. Faleminderit që po e mbuloni këtë ngjarje dhe ju uroj një ditë dhe vit të mbarë.”

Lideri i Koalicionit për Familjen, Eman Rrahmani, theksoi se është e rëndësishme të mbahen mend viktimat e gjenocidit të kryer nga Serbia në Reçak, si dhe përpjekjet për mbrojtjen e familjeve dhe tokave shqiptare. Ai tha: “Ne mbetemi të angazhuar për të ruajtur kujtimin e atyre që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.”

Liderët e Koalicionit për Familjen shprehën gjithashtu përkushtimin e tyre për ruajtjen e unitetit kombëtar dhe vlerave të lirisë, duke theksuar se kujtimi i viktimave të Reçakut është një element i rëndësishëm për ndërgjegjësimin dhe forcimin e identitetit kombëtar.

Ngjarja tërhoqi vëmendjen e qytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, të cilët u bashkuan për të respektuar kujtimin e atyre që humbën jetën në masakrën e Reçakut.