Lajme

Dështon takimi i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit në Bruksel

01/15/2025 13:52
nga:G C

Takimi i parë i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit, i planifikuar të mbahet sot në Bruksel, ka dështuar pasi që delegacioni i Serbisë refuzoi të marrë pjesë.

Burimet jozyrtare kanë treguar për REL-in se delegacioni serb refuzoi të marrë pjesë në takim në shenjë proteste pas aksionit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë.

Të njëjtat burime thonë se delegacioni i Kosovës është takuar me përfaqësues të ekipit të të dërguarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçakut dhe se ka pasur takime dhe eme delegacionin e Serbisë, por jo në kuadër të takimit të Komisionit të përbashkët.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq – i cili ndodhej në Bruksel ku do të duhej të mbahej takimi i parë i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit – tha se “e ka braktisur atë takim”, për shkak të ndodhive në Kosovë.

“Kurti nuk do dialog, por dhunë”, u tha ai gazetarëve në Bruksel.

I pyetur nëse u mbajt takimi për të pagjeturit, Petkoviq tha: “Natyrisht që jo. Çështja e të pagjeturve është e rëndësishme… por Kurti e ka mbytur dialogun, e ka mbytur takimin e sotëm”.

Ai tha se nga mbyllja e institucioneve serbe të mërkurën, mbi 1.100 njerëz kanë mbetur pa punë, por tha se i siguron ata që Serbia do të vazhdojë t’i paguajë.

Por burimet e REL-it thonë se Petkoviqi nuk ishte i supozuar të merrte pjesë në takim.

Po ashtu, sipas njoftimeve të mëhershme të BE-së, takimi ishte parashikuar të ishte vetëm takim i Komisionit për të pagjeturit dhe jo takim i radhës në kuadër të dialogut, ku do të merrnin pjesë kryenegociatorët.

Në takim, delegacioni i Kosovës do të udhëhiqej nga Halil Cenaj, qysh edhe kishte bërë të ditur kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

Ndërkaq, para takimit, Serbia nuk kishte bërë të ditur se kush do ta udhëheqë delegacionin e saj.

Para se të mbahej takimi, autoritetet e Kosovës njoftuan se kanë mbyllur organet komunale serbe në dhjetë komuna në jug të lumit Ibër, si dhe zyrat postare dhe të Administratës Tatimore të Serbisë.

Kosova kishte filluar mbylljen e institucioneve serbe qysh në fillim të vitit 2024. Pas aksionit të fundit, autoritetet në Serbi thanë se do t’i marrin të gjitha masat “për të mbrojtur popullin serb” në Kosovë.

Çfarë është Komisioni i përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit?

Ngritja e këtij komisioni është bërë në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta. Se kush janë, mund të lexoni këtu.

Sipas burimeve në BE, në këtë takim nuk pritet ndonjë veprim konkret, por do të jetë më shumë i karakterit simbolik dhe ceremonial, duke qenë se do të jetë takimi i parë i këtij komisioni. Po ashtu, fakti që Kosova është në periudhë të fushatës zgjedhore, ndikon që ky të jetë vetëm një takim simbolik.

Burimet në Bruksel thanë se takimi do të jetë rast që palët të paraqesin prioritetet e tyre dhe të merren vesh për datat e takimeve të ardhshme, në të cilat priten rezultate konkrete.

Kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për personat e zhdukur, Andin Hoti, shkroi në Facebook se në Bruksel do të përcaktohen plani i punës dhe takimet e radhës.

Ai u shpreh se në këtë drejtim, delegacioni i Kosovës do të prezantojë disa kërkesa kyçë, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, “me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar tek Vuçiq, dhe çështje tjera të rëndësishme në këtë fushë”.

“Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese Deklaratës për Persona të Zhdukur, e miratuar me 2 maj 2023”, tha ai.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të formonin këtë komision të përbashkët për të zbatuar Deklaratën dhe BE-ja e kishte cilësuar si një nga rezultatet më të rëndësishme të dialogut vitin e kaluar.

Deklarata politike ishte arritur në maj të vitit 2023 mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, deri më tani nuk është bërë ndonjë veprim konkret për zbatimin e saj, teksa familjarët e më shumë se 1.600 persona të pagjetur – kryesisht shqiptarë – me ankth presin të dinë për fatin e më të dashurve të tyre.

Një nga ta është edhe Fitim Dubovci, i cili kërkon babanë e tij të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë më 1998-1999.

“Babanë e kanë marrë të gjallë, por, sot, vetëm 1 për qind besoj se mund të jetë i gjallë diku”, tha ai për REL-in në prill të vitit 2024.

Fitimi nga Çikatova e Drenasit, përveç babait ka edhe pesë familjarë të tjerë të zhdukur.

“Sa e sa familjarë të personave të zhdukur tashmë kanë vdekur ‘me sy hapur’, sepse nuk e kanë ditur ku i kanë më të dashurit e tyre”, tha ai.

BE-ja ka thënë më herët se për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur duhet funksionalizimi i Komisionit të përbashkët.

Megjithatë, në të kaluarën palët kishin akuzuar njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë për të dhënë informacione për të pagjeturit si dhe qasje në dokumente relevante dhe arkiva ushtarake të rëndësishme për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Në Deklaratën për Personat e Zhdukur thuhet se palët angazhohen për identifikimin e vendeve të varrimit dhe më pas që në to të gërmohet.

Aty po ashtu palët pajtohen që të ofrojnë qasje të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që do të ndihmonin në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.

“Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst”, thuhet në Deklaratë.

Në këtë Deklaratë nuk përmenden arkivat ushtarake apo policore, që Kosova ka kërkuar që Serbia t’i hapë pasi thotë se në to janë edhe informacionet për të zhdukurit.

Megjithatë, aty përmenden dokumentet me status të klasifikuar, që sipas njohësve, iu referohet dokumenteve konfidenciale apo arkivave shtetërore ushtarake dhe policore, të cilat, sipas tyre, do të ndihmonin në gjetjen e personave të pagjetur.

Kosova ka kryer gërmime në lokacione të ndryshme ku dyshohen për mbetje mortore të personave të vrarë gjatë luftës. Por, autoritetet shpesh kanë thënë se problemi qëndron në lokacionet në Serbi, ku dyshohet se janë varrosur viktimat e luftës në Kosovë.

Në rajon, nga konfliktet në Kroaci dhe Bosnja e Hercegovinë zbardhja e fatit të personave të zhdukur po ashtu është pjesë e punës së komisioneve të përbashkëta mes këtyre shteteve.