Dorëzimi i komenteve nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Gjykatën Kushtetuese lidhur me Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka nxitur reagime. Haxhiu deklaroi se përpjekjet e opozitës për të ndaluar konceptin e konfiskimit civil në Kosovë po vazhdojnë, duke theksuar se janë marrë masa për të adresuar çdo shqetësim të ngritur nga Gjykata Kushtetuese.
“Për herë të dytë radhazi, ky Ligj po kontestohet nga opozita. Ne kemi dorëzuar komentet tona dhe urojmë që Gjykata të mos vonohet përsëri për të nxjerrë një aktgjykim. Ata që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme nuk do të amnistohen”, ka shkruar gjatë ditës Haxhiu në Facebook.
Nga ana tjetër, avokati Yll Zekaj ka kritikuar mënyrën e procedimit të këtij projektligji, duke e cilësuar atë si veprim për qëllime elektorale dhe jo për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.
Sipas tij, procesi i miratimit të ligjit ka shkelur rregulloret e Kuvendit dhe është zhvilluar pa konsultime publike.
“Nëse i analizojmë veprimet se si është vepruar me Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, shihet qartë se qëllimi ka qenë më shumë elektoral sesa legjitim. Kjo lidhet me synimin për të rritur konfiskimin e pasurisë, ashtu siç është proklamuar në programin qeverisës. Që nga fillimi, kur ky projektligj u draftua, kemi pasur mungesë të konsultimit publik, si dhe devijime nga rregulloret e Kuvendit, të cilat parashikojnë konsultim publik para miratimit. Për më tepër, ka pasur opinione negative nga ana e Komisionit të Venecias, i cili ka konstatuar se ky projektligj cenon të drejtat elementare të njeriut.
Pas miratimit të tij, u konstatua se ai nuk mundi ta kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese dhe u kthye mbrapsht. Çfarë ndodhi më pas? Pas një periudhe neglizhence prej tre muajsh, ky projektligj u rikthye në Kuvend për herën e dytë. Në një procedurë të përshpejtuar, ai kaloi brenda natës, duke u miratuar në dy lexime brenda disa minutash, pa asnjë konsultim publik. Kjo përbën një shkelje të rëndë të rregullores së Kuvendit.
Tani, nënshkrimi dhe publikimi i çfarëdo lloj komentesh po bëhet kryesisht për qëllime elektorale, për të fituar vota dhe për tu viktimizuar, duke krijuar përshtypjen se Gjykata Kushtetuese po pengon reformën në sistemin e drejtësisë. Në realitet, kjo nuk ka të bëjë me miratimin apo zhvillimin e një ligji që do të kalonte filtrin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Zekaj në FIVE të Dukagjinit.