Serbia ka filluar negociatat me Shtetet e Bashkuara në lidhje me Industrinë e sanksionuar të Naftës së Serbisë (NIS).
Se si do të zgjidhet problemi i pronësisë ruse të këtij ish-gjigandi shtetëror serb, është ende e paqartë.
“Unë nuk mendoj se skenarët, në të cilët Rusia mbetet në NIS, janë të realizueshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë Igor Novakoviq nga Qendra joqeveritare për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC).
Më 10 janar, Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur NIS-in në listën e sanksioneve, për shkak të aksioneve që ka në të kompania ruse, Gazprom Neft.
Qëllim i sanksioneve është ta pengojnë Rusinë që t’i përdorë të ardhurat nga energjia për luftën e saj në Ukrainë.
NIS është kompania e vetme në Serbi, e cila merret me kërkimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës, si dhe me prodhimin e gazit natyror.
Ajo zotëron më shumë se 400 pika karburantesh në Serbi dhe në vendet e rajonit – Bosnje e Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.
Përpunimi i naftës bruto bëhet në rafinerinë e naftës në Pançevë, e cila operon në kuadër të sistemit të NIS-it.
Në vitin 2008, shteti serb ia ka shitur 51 për qind të aksioneve të NIS-it kompanisë shtetërore ruse, Gazprom Neft, për 400 milionë euro, pa tender.
Në maj të vitit 2022, për shkak të sanksioneve të reja të shpallura nga Bashkimi Evropian, Gazprom Neft i ka shitur 6 për qind të aksioneve te Gazprom-i – kompania mëmë, e cila nuk është ende nën sanksionet e bllokut evropian.
Në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione kundër disa anijeve transportuese të naftës, tregtarëve dhe furnizuesve rusë të naftës, si dhe zyrtarëve rusë të energjisë, për t’i reduktuar të ardhurat ruse nga energjia.
Për çka është duke u biseduar?
Autoritetet në Beograd presin që pas bisedimeve me partnerët amerikanë, përfshirë administratën e ardhshme të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, do të arrijnë t’i sigurojnë kushtet më të mira të mundshme.
Megjithatë, ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, ka pranuar për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) më 13 janar se do të jetë shumë e vështirë për administratën e re amerikane që t’i heqë këto sanksione, pa kaluar përmes procedurave komplekse të Kongresit.
Bisedimet për kushtet me Departamentin e Thesarit amerikan kanë filluar më 13 janar, për të gjetur, sipas Beogradit, “zgjidhjen më të mirë të mundshme” për Serbinë.
Por, për Shtetet e Bashkuara, “e vetmja mënyrë për të pasur zero rrezik, është të ketë zero pronësi ruse”.
Ky është qëndrimi me të cilin zhvillohen bisedimet, ka thënë ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, më 12 janar.
“Ne i kemi bërë këto gjëra, më herët, me kompani të tjera ruse në vende të tjera – në Holandë, në Zvicër, në Turqi”, ka thënë O’Brien.
Cilët janë skenarët e mundshëm?
Zyrtarët në Beograd kanë deklaruar vazhdimisht se nuk bëhet fjalë për konfiskim të pasurisë së huaj.
Ata gjithashtu pretendojnë se kanë para në llogari që Serbia ta blejë NIS-in nga Rusia.
“Opsioni më i mirë për Rusinë është të mos bëjë bujë të madhe dhe ta transferojë pronësinë”, thotë Novakoviq nga organizata ISAC.
Megjithatë, ai shton se është pikëpyetje nëse pala amerikane do ta miratojë transaksionin, sepse mund të shihet si ndihmë për ekonominë ruse në luftën kundër Ukrainës.
Transformimi i pronësisë, siç është paralajmëruar, duhet të miratohet nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit amerikan.
Beogradi ka paralajmëruar bisedime me partnerët e tij rusë, pas takimit me homologët e tij amerikanë.
Kremlini ka thënë se Moska do t’u kundërvihet sanksioneve amerikane, që shënjestrojnë industrinë ruse të naftës, duke paralajmëruar se ato mund t’i destabilizojnë tregjet globale të energjisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më 13 janar se Moska do t’i monitorojë nga afër pasojat e masave dhe më pas do ta konfigurojë punën e kompanive ruse për t’i minimizuar ato pasoja.
Ai nuk i ka komentuar sanksionet kundër Industrisë së Naftës së Serbisë.
Më 14 janar, ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska është në kontakt me “miqtë e saj serbë” në lidhje me fatin e pronësisë së NIS-it.
Radio Evropa e Lirë pyeti Gazprom-in se cili opsion do të ishte i pranueshëm për palën ruse.
“Bëhet fjalë për një llogaritje, sipas së cilës, Gazprom Neft nuk dëshiron t’i shesë ato aksione, sepse askush nuk dëshiron të shesë diçka me detyrim”, tha konsulenti ekonomik, Bogdan Petroviq.
Skenari nëse nuk arrihet marrëveshje me rusët, do të ishte që shteti i Serbisë ta kombëtarizonte NIS-in.
“Shteti mund të thotë se është në interes të publikut të sigurohet furnizimi me naftë dhe derivate dhe se kjo nuk është e mundur nëse NIS-i mbetet nën pronësinë ruse”, tha Petroviq.
Këtë “marrje me forcë” të aksioneve të NIS-it, sipas tij, do ta bënte Kuvendi i Serbisë, duke miratuar një ligj të posaçëm për transaksionin, që do të parashihte edhe një kompensim të caktuar për aksionet.
“Mund të kombëtarizoni një kompani edhe për një dinar, por gjëra të tilla nuk bëhen nëse nuk keni nevojë të madhe, sepse ato e vënë në pikëpyetje besueshmërinë e shtetit”, tha Petroviq.
Sipas tij, ekziston edhe mundësia që një kompani e huaj ta blejë NIS-in, por në atë rast afatet e dhëna prej 45 ditësh janë joreale.
“Duhet të kontaktoni Komisionin e Mbrojtjes së Konkurrencës për të marrë miratimin, në mënyrë që blerja të hyjë në fuqi. Nuk mund ta merrni atë për dhjetë ditë, sepse bëhet fjalë për një procedurë serioze”, shpjegoi Petroviq.
Ai nuk e përjashtoi as mundësinë që shteti ta shfuqizojë Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në këtë rast.
Sipas tij, në rast se një kompani e huaj blen NIS-in, kërkohet një vlerësim i kompanisë, i cili zgjat gjashtë muaj.
Në ditën kur janë shpallur sanksionet amerikane, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia ka 45 ditë kohë për të përfunduar “nënshkrimin e çfarëdo kontrate dhe marrëveshjeje me palën ruse”.
Pas kësaj, siç ka thënë ai, sanksionet hyjnë “plotësisht” në fuqi.
Çfarë mund të ndodhë në treg?
NIS-i i tha Radios Evropa e Lirë më herët se “do t’i analizojë me kujdes të gjitha implikimet për veprimtarinë e kompanisë” dhe shtoi se mbetet i fokusuar në ruajtjen e stabilitetit në tregun e brendshëm të produkteve të naftës.
“Aktivitetet e kompanisë aktualisht po kryhen pa ndërprerje, furnizimi i zinxhirit të stacioneve të benzinës të NIS-it është duke u bërë me rregull dhe Rafineria e Naftës në Pançevë është duke funksionuar në gjendje normale, duke furnizuar tregun me të gjitha derivatet e nevojshme të naftës”, thanë nga kompania më 10 janar.
Novakoviq thotë se problemi i parë është furnizimi me naftë bruto, e cila kalon përmes naftësjellësit të Adriatikut, JANAF.
NIS-i është partneri më i madh i biznesit i JANAF-it, i cili zotërohet në masë të madhe nga Kroacia – vend anëtar i BE-së.
“Kroacia nuk ka nevojë të vendosë vetë që t’i zbatojë sanksionet, por këto sanksione janë aq specifike, saqë nëse bëni biznes me një subjekt që është nën sanksionet e SHBA-së, ekziston mundësia që sanksionet të zbatohen edhe ndaj jush”, thotë Novakoviq.
Një gjë e tillë, sipas tij, vlen edhe për bankat.
“Kjo mund të shihet në sanksionet e SHBA-së kundër Dodikut, elitës politike në Republikën Sërpska dhe kompanive të lidhura me të. Ata kanë bërë përpjekje ta transferojnë pronësinë, t’ua transferojnë atë subjekteve të tjera, por pa sukses”, thotë Novakoviq.
Millorad Dodik, president i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, anëtarë të caktuar të familjes së tij dhe disa kompani janë nën sanksionet e SHBA-së.
Sipas raportit vjetor të Agjencisë Shtetërore të Energjisë së Serbisë për vitin 2023, gati 80 për qind e konsumit të naftës në Serbi sigurohet nga importi.
Po sipas këtij raporti, rreth katër milionë tonë naftë janë konsumuar në vitin 2023.
Atë vit, për shkak të sanksioneve të BE-së, për herë të parë në historinë e industrisë serbe të naftës, nuk ka pasur importe të naftës bruto me origjinë ruse.
Sanksionet kundër Rusisë kanë nënkuptuar ndalimin e përdorimit të infrastrukturës evropiane për transportimin dhe përpunimin e naftës bruto ruse.
Në vitin 2023, Serbia ka importuar naftë kryesisht nga Azerbajxhani, Iraku, Kazakistani dhe Norvegjia.
Ndikimi nëpërmjet NIS-it
Novakoviq thotë se NIS-i është një shtyllë e ndikimit rus, sepse të gjitha aktivitetet zyrtare ruse kalojnë nëpërmjet tij.
“NIS mbështet organizatat kulturore, ka financuar përfundimin e ndërtimit të tempullit të Shën Savës, është sponsor kryesor i klubit të futbollit ‘Crvena Zvezda’”, thotë ai.
Kjo, sipas tij, ka bërë që Rusia të ketë ndikim të drejtpërdrejtë, pasi që NIS-i është një nga kompanitë më të mëdha në Serbi.
“Ka edhe kompani të tjera në pronësi të firmave ruse, por ato nuk kanë aq shumë ndikim”, thotë Novakoviq.
Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Serbia ka bërë përpjekje t’i diversifikojë burimet dhe rrugët e saj të furnizimit me energji.
Megjithatë, ajo ende varet në masë të madhe nga importet e gazit rus. Kontrata e furnizimit skadon në mars dhe pritet të diskutohet për zgjatjen e saj.
Kjo varësi energjetike është një nga argumentet e autoriteteve serbe që nuk u janë bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë.
Megjithatë, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara sigurojnë se për Serbinë nuk do të ketë pasoja ekonomike nëse hiqet pronësia ruse e NIS-it.
Sipas tyre, kjo do ta ndihmonte Serbinë t’i diversifikonte burimet e saj të energjisë dhe të bëhej e pavarur.
Pasi BE-ja ka vendosur sanksione të reja tregtare ndaj Rusisë në vitin 2022, Serbia dhe Hungaria kanë rënë dakord në tetor të atij viti që të ndërtojnë një tubacion nafte, që do t’i mundësonte Serbisë të furnizohej me “naftë më të lirë nga Uralet, duke u lidhur me tubacionin Druzhba”.
Ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, ka thënë më herët se ndërtimi i këtij tubacioni do të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2025.