Lajme

“Vitia e Kurti veç kanë lyer muret e QKUK-së” – Xhemajli: Bedri Hamza, sjell sigurimet shëndetësore

01/16/2025 09:43
nga:G C

Arbiana Xhemajli, kandidatja e PDK-së për deputete, ka kritikuar qeverisjen e tanishme për trajtimin e shëndetësisë, duke theksuar se gjatë këtij mandati katërvjeçar, kjo fushë nuk ka qenë prioritet i Qeverisë.

Ajo akuzoi ministrin Arben Vitia dhe kryeministrin Albin Kurti për veprime simbolike, si lyerja e mureve të QKUK-së, ndërkohë që problemet reale të sistemit shëndetësor janë lënë pas dore.

“Gjatë këtij mandati katër vjeçar, shëndetësia nuk ka qenë fare prioritet i kësaj Qeverie. Jemi mësuar ta shohim Arben Vitinë dhe Albin Kurtin duke i lyer disa mure të QKUK-së, duke shkuar kryeministri Kurti të shkojë për urime kinse për renovime, por realisht ka pasë vetëm lyerje të mureve dhe asgjë tjetër”, tha Xhemajli.

“Krejt çka kemi parë këto vite është vendosja e militantëve në borde dhe ajo çka është më dëshpëruesja gjatë këtyre viteve në shëndetësi, është ikja e mjekëve nga Kosova. PDK-ja në planin e vetë për shëndetësi, në qendër e ka pacientin e sigurimet shëndetësore. Kjo bën që mjekët mos të ikin, por të qëndrojnë në Kosovë”, shtoi ajo.

Sipas Xhemajlit, një nga problematikat kryesore ka qenë ikja masive e mjekëve nga Kosova, që ka bërë të nevojshëm një plan të ri dhe urgjent.

Ajo e theksoi se PDK-ja ka një plan të qartë për shëndetësinë, ku në qendër janë pacientët dhe sigurimet shëndetësore. Ky plan përfshin mbajtjen e mjekëve në Kosovë përmes përmirësimit të kushteve të punës, investimeve në infrastrukturën shëndetësore dhe edukimin e stafit mjekësor.

Xhemajli siguroi se PDK-ja do të krijojë garanci për mjekët dhe pacientët, duke ofruar shërbime më të mira dhe kushte më të mira për stafin shëndetësor, me qëllim që të kthehen kuadrot e humbura dhe të zhvillohet sistemi shëndetësor i Kosovës.

“Qeverisja jonë ka plan për investim në infrastrukturë spitalore, edukim sa më të madh dhe përmisim të kushteve për stafin shëndetësor. Ne do t’i japim garancion mjekut, por edhe pacientit që shërbimet do të jenë sa më të mira”, tha Xhemajli.

“Ne do të bëjmë të pamundurën që t’i kthejmë kuadrot tona, sepse kemi shqiptarë të mjaftueshëm që kanë dal nga Kosova për të punuar jashtë. Ne e dijmë që në Kosovë, shumica e shërbimeve nuk kryhen, kjo është edhe ideja, t’i mbajmë kuadrot tona duke ua bërë kushtet”, shtoi ajo për GazetaBlic.