Lajme

Haradinaj: Me mua kryeministër anëtarësimi në NATO është çështje javësh

01/12/2025 21:20
nga:G B

Kandidati i AAK-së për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se fati i Kosovës është i lidhur me NATO-n dhe Amerikën, prandaj anëtarësimi në NATO është prioriteti i parë në programin e tij qeverisës.

Haradinaj  u shpreh optimist se anëtarësimi në Paktin Veri-Atlantik mund të jetë çështje javësh në rast të ardhjes së tij në pushtet.

”Edhe tash garanci nuk guxoj me i fol unë se ato janë me vendim të aleatëve, por shpresën e madhe e kam që është çështje e javësh me u kry NATO pas fillimit të qeverisë së re, për shkak se marrja e planit aksional i cili përgatitet për vendin konkret, pra nuk është i njëjti, ne e kemi identifikuar çështjen e sigurisë, çështjen politike dhe çështje të tjera çka duhet të bëjë Kosovë, atë që tha edhe Hoveier ‘homeëork’ detyrat e shtëpisë, ne veç i kemi dakorduar këto detyra të shtëpisë në mënyrë që ta marrim planin aksional”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.

Haradinaj tha se në rast se vjen në krye të ekzekutivit, ai do t’i respektoj në përpikëri zotimet e Kosovës, të cilat do ta mundësonin anëtarësimin në Paktin Veri-Atlantik.

”Zotime të shkruara, të konfirmuara dhe do t’u përmbahem 100%, do t’i respektoj, janë gjëra serioze dhe janë zotime që janë në nderin e Kosovës, janë zotime që ku me marrë Kosova me u krye ato zotime e me hy në NATO menjëherë,  serioziteti ynë ua bën të mundshme edhe vendeve jo njohëse të na aprovojnë”, tha Haradinaj.